Sugjerime për lexim nga Agron Shala dhe Adil Olluri

24 gusht 2020 | 09:20

1.

“Mos e harro Japoninë, Suzanë” ka një temë të re në letërsinë shqipe, një gjetje e mirë artistike jo e një individi çfarëdo, por jeta e një doktori, i cili përkujdeset për jetën e të tjerëve kohë të gjatë, kohë e pa kohë, edhe me orar të zgjatur pune, kurse jeta e tij merr kthesë dramatike kur nga kolegët e tij zbulohet se vuan nga kanceri në fyt. Në këtë kontekst, dihen sfidat që i paraqiten njeriut, edhe doktorit të sëmurë të romanit dhe familjes së tij, e cila bën çdo përpjekje njerëzore për shërimin e tij.

S’po e veçoj romanin vetëm për temën që e bën të veçantë, sepse tema të tilla, për sëmundje të rënda, nga perspektiva personale dhe impersonale, qofshin ato shkrime bio dhe autobiografike, janë trajtuar nga shkrimtarë evropianë mjaft herë. Nga të tanët, hiç. Prandaj, përpos sakrificave të mëdha njerëzore për shpëtimin e jetës së njeriut, ka dhembje të mëdha brenda romanit dhe, ku e ku, edhe dëshpërim të natyrshëm për jetën që ua besojmë disa doktorëve të cilët i konsiderojmë profesionistë.

Nëpërmjet këtij romani, kësaj teme dhe këtyre personazheve autori godet sistemin shëndetësor jo vetëm të Kosovës, por edhe të Turqisë. I godet ata njerëz që shërimin nuk e kërkojnë në Kosovë, por jashtë saj. I godet ato mendje që u besojnë mjekëve të huaj e jo tanëve. Nëpërmjet përshkrimit të disa ambienteve të punës së mjekëve, në Kosovë dhe Turqi, autori përpiqet t’i nxjerrë në pah kushtet e punës së tyre këtu dhe atje, po ashtu se kushtet e punës nuk i bëjnë mjekët më të mirë e më të suksesshëm, por përvoja dhe specializimi me meritë në fusha të caktuara në shëndetësi.

Ka rëndësi të madhe dhe veçanti tematike dhe stilistike, po ashtu, gjuha e personazheve, ngjarjet paradoksale të tyre, rrëfimet nga jeta e tyre si, ta zëmë, edhe ai, i titullari “Ditari i dr. Levent Altikanoglu”, i cili nuk është shkruar në formën e ditarit.

Padyshim se me këtë roman botimeve të shtëpisë botuese Armagedoni u shtohet një vlerë e madhe, letërsisë shqipe një prozë filozofike, me përmbajtje nga fusha e mjekësisë, e jetës, e besimit fetar, kurse lexuesve u jepet për lexim një prozë me frymë derisa  njeriut i del shpirti.

Agron Shala

 

2.

Romani “Mos e harro Japoninë, Suzanë” është me interes të lexohet për tri arsye. Së pari, për shkak të zgjedhjes së veçantë e kreative të boshtit tematik të rrëfimit nga ana e autorit të tij, të nderuarit Aziz Mustafa. Rrëfimi për sëmundjet e pashërueshme, siç është kanceri në këtë roman, nuk është edhe aq shumë i pranishëm në letrat shqipe. Andaj, pikërisht për këtë them se zgjedhja tematike e autorit Mustafa është e veçantë. Duke qenë edhe autori me profesion primar të mjekut, kjo tematikë trajtohet me një përkushtim dhe seriozitet të lakmueshëm. Së dyti, rrëfimi i këtij romani na dërgon në një vend ekzotik dhe jo aq të njohur për lexuesin shqiptar, siç është Japonia. Romani, në mënyrë të çiltër e me një sens dashamirësie, na shëtit nëpër këtë vend të rëndësishëm aziatik, ku lindi dashuria mes Leonardit, kryepersonazhit, dhe holandezes së bukur, Suzanës. Pra, i huaji, tjetri, i ndryshmi prej nesh, trajtohet me një bonsens të pëlqyeshëm në këtë roman. Së treti, në këtë vepër të Aziz Mustafës kemi një shumëzëshmëri narrative, duke qenë se i kemi të pranishëm katër rrëfimtarë, tre që rrëfejnë nga këndi subjektiv (Leonardi, Suzana dhe doktor Leventi) përmes ditarëve dhe kujtimeve të tyre dhe një rrëfimtar objektiv që ndërlidhë të gjitha situatat, veprimet dhe ndjesitë e personazheve në këtë roman.

Adil Olluri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Së shpejti në librarinë “Onufri”, rruga “Myslim Shyri” në Tiranë,…