Sulmet ajrore izraelite vazhdojnë në jug të vendit
Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, akuzoi të shtunën Izraelin se po ndjek një “politikë të tokës së djegur” në jug të vendit, duke bërë thirrje për ndaljen e luftimeve, ndërsa Izraeli kreu sulme të reja ajrore dhe lëshoi paralajmërime për evakuim për më shumë se një duzinë zonash.
Një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se forcat e tij kishin avancuar më thellë në territorin libanez, homologu i tij libanez paralajmëroi se vendi po përballet me një përshkallëzim “të rrezikshëm” dhe kërkoi një “armëpushim të shpejtë dhe të vërtetë”.
Në një fjalim televiziv, Salam akuzoi Izraelin se po ndjek një “politikë të tokës së djegur dhe ndëshkimit kolektiv” përmes “shkatërrimit të qyteteve dhe fshatrave dhe detyrimit të banorëve të tyre të largohen nga shtëpitë”.
Sipas tij, kjo qasje nuk do t’i sjellë Izraelit “as siguri dhe as stabilitet”, raporton theguardian.
Megjithatë, ai mbrojti angazhimin e qeverisë së tij në dialog me fqinjët jugorë, pasi delegacione ushtarake nga të dy vendet zhvilluan bisedime sigurie në Uashington të premten, ndërsa negociata të tjera të ndërmjetësuara nga SHBA-ja janë planifikuar për javën e ardhshme.
Salam tha se rezultati i këtyre negociatave “nuk është i garantuar”, por i cilësoi ato si “rruga me koston më të ulët për vendin dhe popullin tonë”.
Një armëpushim për ndaljen e luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, hyri zyrtarisht në fuqi më 17 prill, por sipas raportimeve nuk është respektuar asnjëherë plotësisht.
Si Izraeli ashtu edhe Hezbollahu akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit dhe justifikojnë sulmet e tyre me shkeljet e pretenduara nga pala tjetër.
Një deklaratë amerikane e publikuar pas bisedimeve Izrael-Liban të së premtes nuk e përmendi armëpushimin, por theksoi se “diskutimet produktive ushtarake” do të shërbejnë si bazë për takimin politik të javës së ardhshme.
Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA raportoi për disa sulme izraelite në jug të vendit të shtunën, ndërsa ushtria libaneze njoftoi se dy ushtarë të saj “u plagosën rëndë nga një dron armiqësor izraelit” pranë qytetit jugor Nabatieh.



