‘Superpuna’, Kurti njofton për zgjerimin e grupmoshës nga 18 deri në 29 vjeç

02 shkurt 2024 | 12:07

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë marrë pjesë në lansimin e zgjerimit të platformës “Superpuna”.

Me këtë rast, Kurti ka bërë me dije se nga 18 deri në 25 sa ka qenë, tani është zgjeruar grupmosha për personat që mund të përfitojnë nga “Superpuna”.

Ai ka treguar se tani grupmosha do të përfshijë personat nga 18 deri në 29 vjeç.

“Kjo platformë ka arritur që të bëjë ndërmjetësimin e suksesshëm të punësimit të 9 394 të rejave dhe të rinjve, prej tyre, 4 635 persona e kanë përfunduar gjashtëmujorin e paraparë përmes platformës ‘Superpuna’”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, nga ky numër 3 108 të rinj, 1 599 djem dhe 1 509 vajza janë bërë punëtorë të rregullt.

“Kjo i bie që 67 për qind të punëtorëve të ndërmjetësuar përmes ‘Superpunës’ kanë vazhduar të qëndrojnë aktivë në tregun e punës. Pra, Superpuna jo vetëm që ka mundësuar që të rinjtë të fitojnë përvojë pune, por gjithashtu edhe ka ndikuar që të rinjtë të dëshmojnë kapacitetin e tyre dhe ta zhvillojnë vijimin e tyre profesional duke lidhur kontrata të rregullta me punëdhënësin”.

“Duke pasur parasysh ndikimin e jashtëzakonshëm, kemi vendosur që të zgjerojmë grupmoshat që mund të përfitojnë nga kjo platformë, pra nga 18-25 vjeç sa ishin grupmoshat, tash do të zgjerohet grupmosha nga 18-29 vjeç”, ka theksuar Kurti.

“Superpuna” është platformë punësimi e krijuar nga Qeveria e Kosovës, në kuadër të skemës së “Punësimit të Garantuar për të Rinjtë”, e cila lehtëson qasjen e të rinjve në tregun e punës dhe ndihmon bizneset në angazhimin e punëtorëve të rinj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i LA Lakers ka fituar me rezultat 114-105 në…