Suzana Ujkaj vazhdon kontratën me klubin francez

29 prill 16:41

Reprezentuesja e Kosovës në hendboll, Suzana Ujkaj (Ujkiq) do të luaj në Francë edhe në edicionin e ardhshëm, 2022/2023.

Pivoti Ujkaj së fundi e ka vazhduar për një vit kontratën me skuadrën Yutz. Me kontratën e re, Ujkaj do të jetë te Yutzi deri në korrik të vitit 2023.

Te klubi francez i kategorisë së tretë janë shprehur të lumtur që do ta kenë lojtaren e Kosovës edhe në kampionatin e ardhshëm.

“Para një viti fillova rrugëtimin në klubin Yutz, në kampionatin francez të hendbollit. Aktualisht klubi renditet në vendin e katërt të ligës së tretë. Fillimet ishin të vështira pasi u bëra pjesë e një kampionati të ri, por prezantimi im ishte dinjitoz. Si rezultat i një punë të palodhur dhe profesionale nga ana ime, por edhe i frymës së bashkëpunimit të frytshëm mes sportistëve të klubit, trajnerit, publikut mbështetës dhe presidencës, sukseset nuk munguan. Për rrjedhojë sot jam përsëri pjesë e klubit Yutz, të cilin do ta përfaqësojë denjësisht gjatë edicionit të ardhshëm garues. Mund të them se ndihem mjaft e përgatitur profesionalisht. Pasi jam edhe lojtare e Kombëtares së Kosovës mezi pres aktivitetet e ardhshme për ta përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare. Publikut i premtoj se nuk do ta zhgënjej dhe të përpiqem maksimalisht që të jem në nivelin e duhur”, ka thënë Ujkaj për faqen zyrtare të FHK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka…