Sveçla deklarohet për situatën në veri: Nuk presim një përshkallëzim
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svelça, ka folur për situatën në veri, ku rrugët që dërgojnë për në Jarinjë e Bërnjak janë të bllokuara që katër ditë.
Sveçla ka thënë protestat janë të organizuara nga strukturat serbe.
Sipas tij, vendimi për reciprocitetin në targa është i drejtë dhe i ligjshëm dhe cilido që e vë në diskutim këtë do të vinte në dyshim sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës.
“Ne nuk presim një përshkallëzim. Duket se nuk ka një energji të theksuar nga strukturat paralele për të përshkallëzuar situatën. Ne jemi të vendosur që ligjshmëria të zbatohet në këtë çështje, duke zbatuar ligjin t’iu shërbejmë edhe qytetarëve atje. Çfarë bën Serbia që prej çlirimit të Kosovës është që lufton shtetësinë e Kosovës. Çdo vendim i saj nuk është befasi për ne. Jemi të vendosur që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Jemi të gatshëm për marrëdhënie fqinjësore me të gjithë ata fqinjë të cilët janë konstruktivë në raportet e ndërsjella”, ka thënë Sveçla për “A2CNN”.