Sveçla: Raportimet për ‘ikje masive’ me autobusë drejt BE-së, dezinformim për qëllime politike nga Serbia

19 janar 2024 | 20:51

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas raportimit në media se nga stacioni i Autobusave cdo ditë drejt BE-së shkojnë deri në 400 autobusë.

Ai ka theksuar se lajmet e tilla pastaj përdoren politikisht nga Serbia.

Postimi i plotë:

Raportimet për “ikje masive” të qytetarëve tanë, veçanërisht përmes transportit me autobusë janë të pavërteta. Ato me ose padashje krijojnë panikë te qytetarët dhe rëndom përdoren pastaj për qëllime politike e dashakeqe kundër shtetit tonë nga Serbia.

Lajmet e tilla janë demantuar nga Stacioni i Autobusëve e po ashtu demantohen lehtësisht edhe nga të dhënat e Policisë së Kosovës/Departamenti i Kufirit, ku dëshmohet se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” të qytetarëve tanë apo flukse të autobusëve.
Sipas të dhënave nga pikat kufitare, nga 1 janari i këtij viti, kur vendi ynë gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza e deri më sot, në Republikën e Kosovës nga të gjitha pikat kufitare kanë hyrë 3687 autobusë, ndërsa kanë dalur nga të gjitha pikat kufitare 2408 autobusë. Për të dëshmuar se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” por me raportime dezinformuese nga disa mediume të papërgjegjshme, për të njejtën periudhë kohore, në vitin që lamë pas kanë hyrë 3511 autobusë ndërsa kanë dalur nga pikat kufitare 3731 autobusë. Pra, 35% më pak autobusë kanë dalur këtë vit pas liberalizimit të vizave sesa në vitin e kaluar.

Procesi i menaxhimit të udhëtimeve pas liberalizimit të vizave është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme për çka u jam mirënjohës stafit të Aeroportit, zyrtarëve tanë policor atje si dhe zyrtarëve policor kudo në pikat tona kufitare. Natyrisht, ju bëj thirrje edhe mediave për korrektësi në raportim të lajmeve rreth kësaj teme dhe jo vetëm.

Të gjithë qytetarët i falënderoj për respektim të procedurave të udhëtimit pa viza dhe ju dëshiroj rrugë të mbarë si në vajtje ashtu dhe ardhje në vendin e tyre!

Sveçla e ka publikuar edhe këtë tabelë:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për 18 ditë të këtij fillimviti, janë shtuar 112 fluturime…