Synimet e FSK-së, ushtri moderne dhe anëtare e NATO-s

02 janar 2022 | 10:37

Kanë kaluar rreth tre vjet që kur institucionet e Kosovës bënë hapin përpara me vendimin për procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga një mandat për mbrojtje civile e reagim emergjent në forcë mbrojtëse ushtarake. Kjo lëvizje nga udhëheqësia e Kosovës, e nxitur nga mbështetja masive e publikut, u pa me skepticizëm nga disa prej aleatëve tradicionalë të vendit, që kishin frikë se vendimi do të çonte në jostabilitet, shkruan “Epoka e re”.

Disa madje mund të pohojnë se, në fakt, procesi i tranzicionit të mandatit të FSK-së e ka ndihmuar kohezionin shoqëror në Kosovë dhe, si i tillë, e ka forcuar stabilitetin e vendit.

Me fjalë të tjera, diskursi shqetësues për tranzicionin e FSK-së u tregua i pabazuar dhe vendimi deri më sot ka dëshmuar më shumë përfitime sesa që pritej.

Procesi i tranzicionit të mandatit të FSK-së po ecën përpara sipas planit. Ministria e Mbrojtjes (MM) duket se po ndjek me rigorozitet procesin e tranzicionit siç përcaktohet në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit për ndërtimin e aftësive mbrojtëse.

Që nga viti 2018 FSK-ja shtoi përpjekjet e veta për të shërbyer si forcë me qëllime të mira si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Në zhvillimin e fundit ajo dha kontribut të prekshëm gjatë katastrofës së tërmetit në Shqipëri në nëntor 2019 dhe zbarkoi misionin e parë jashtë shtetit në Kuvajt si pjesë e kontingjentit amerikan IOWA në mars 2021.

Tranzicioni i FSK-së nuk u shndërrua në ndonjë përshkallëzim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe trajektorja e zhvillimit të saj deri më tani nuk kontribuoi në narrativën destruktive në marrëdhëniet midis dy vendeve; Skeptikët e tranzicionit të FSK-së janë dobësuar, ndërsa ata që mbështetin mandatin e ri janë fuqizuar.

Deri më tani tranzicioni i FSK-së konstaton se zhvillimi i kësaj force është duke ndodhur sipas dinamikës së paraparë. FSK-ja është në vazhdën e validimit të kapaciteteve këmbësorike grupore me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe kontributit në misionet e paqes jashtë vendit. Sfidat e saj në zhvillim janë më shumë si rrjedhojë e problemeve të brendshme strukturore sesa ato të karakterit politik.

Forca e Sigurisë së Kosovës edhe në këtë vit që po lëmë pas doli të jetë institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend për qytetarët e Kosovës, me nivel edhe më të lartë se në vitet e tjera, me 82 për qind të besueshmërisë qytetare.

Në dhjetor ushtrisë sonë iu shtuan edhe 190 ushtarë të rinj profesionistë.
Qeveria e Kosovës këtë vit ka miratuar Projektligjin për Policinë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ky projektligj përcakton misionin, organizimin, autorizimin dhe detyrat e Policisë Ushtarake të FSK-së. Është hera e parë që misioni dhe statusi i Policisë së FSK-së rregullohet me ligj të veçantë.

Duke marrë parasysh faktin që synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, rregullimi i misionit të Policisë Ushtarake është një hap i rëndësishëm drejtë këtij synimi, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ai ka thënë se rritja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendeve të Evropës Qendrore dhe vendeve mbështetëse drejt anëtarësimit në BE dhe NATO është gjithmonë e nevojshme dhe e mirëseardhur. Vizioni i Republikës së Kosovës është ta promovojë stabilitetin dhe sigurinë, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin, Evropën dhe më gjerë.

Forca e Sigurisë e Kosovës është ndërtuar me mbështetjen e partnerëve të NATO-s si forcë profesionale multietnike në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj, ka deklaruar ministri Mehaj.

FSK-ja për vitin 2022 do të ketë në dispozicion 100 milionë euro. Gjithashtu në këtë vit që po lëmë Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit.

Ndërsa Kosova në gusht të këtij viti ka marrë donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 50 mjete ushtarake të blinduara. Në muajin korrik, po të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 4.5 milionë euro shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes për blerje të dronëve. Kurse në qershor, po ashtu të vitit 2021, Ushtria e Kosovës është pajisur me disa autoblinda, gjithashtu donacion nga Amerika.

Nipi i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, Bashkim Jashari, është komandant i ri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). FSK-ja aktualisht numëron 2 500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë.

Me mandatin e ri parashihet që të ketë 5 000 ushtarë aktivë dhe 3 000 pjesëtarë rezervë.

(Qendresa Rama / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, konkretisht antidroga në Prishtinë, pas një hetimi…