Synimet e Naser Sahitit në krye të Universitetit të Prishtinës

11 tetor 2020 | 11:55

Përmirësimi i cilësisë së studimeve, rritja e kërkimeve shkencore, krijimi i infrastrukturës së mjaftueshme e ndërkombëtarizimi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë disa nga synimet e rektorit të ri të UP-së, Naser Sahiti.

Rektori i sapozgjedhur në krye të UP-së në një intervistë për “KosovaPress” ka folur për planet e tij në detyrën e re, sfidat dhe problemet në UP, e zgjedhjen e prorektorëve.
Organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Naser Sahiti, e sheh si sfidën e parë me të cilën po përballet në detyrën e re.

Megjithatë ai thotë se deri më tani gjithçka është duke shkruar në rregull dhe se të gjitha orët e humbura për vitin e parë që ende nuk kanë filluar procesin mësimor do të zëvendësohen.

“Deri më tani ka ekzistuar një vendim i senatit bazuar në të cilin mësimi është dashur të organizohet në mënyrë të kombinuar, pjesa teorike online ndërsa pjesa laboratorike, klinike, ushtrimet në fakultetin e Arteve me prezencë fizike të studentëve. Ndërsa, nga mbledhja e fundit e senatit ne e kemi shtuar edhe një dispozitë në vendim brenda secilës kemi lejuar që njësitë akademike aty ku e vlerësojnë se është e mundshme të kenë mundësi të organizojnë edhe pjesën teorike të mësimit me prezencë fizike të studentëve… Opsioni më i mirë është nëse kushtet ekzistojnë, nëse ekziston siguri që nuk do të rrezikohet shëndeti i studentëve dhe stafit akademik, nëse përfillen të gjithë rekomandimet e IKShPK-së atëherë opsioni më i mirë definitivisht është me prezencë fizike të studentëve”, thotë ai.

Si prioritet të punës së tij, rektori thotë se e ka ngritjen e cilësisë së studimeve në Universitetin e Prishtinës, derisa tregon se si do ta arrijë një gjë të tillë.

“Mundësitë për veprimet që ndikojnë në përmirësim të cilësisë janë të shumta për shkak të natyrës komplekse të vet procesit mësimor. Disa prej atyre mundësive janë për shembull rritja e pjesëmarrjes së studentëve nëpër punë praktike në institucione, në kompani private, ato ndikojnë drejtpërdrejtë në ngritje të cilësisë së studimeve. Pastaj, mundësi tjetër është përmirësimi i procesit të mësimdhënies nga ana e stafit akademik, mundësi tjetër është riformimi i kurrikulave ekzistuese në mënyrë që ato ta reflektojnë gjendjen në terren, në mënyrë që ato t’i kenë parasysh kërkesat e tregut. Këto janë disa prej atyre që mund të ndërmerren sigurisht ka edhe të tjera, që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë. Të gjitha këto janë në programin tim të rektorit dhe të cilat unë do t’i adresoj brenda mandatit tim, ashtu që brenda kësaj periudhe të shënojmë një progres në ngritjen e cilësisë së studimeve”, thotë rektori Sahiti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…