Tahiri i AAK-së: Kosova është izoluar, qeveria po e varfëron qytetarin
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka për qëllim vazhdimin e varfërimit të qytetarëve të vendit.
Më tutje, ai ka përmendur edhe sanksionet nga ShBA-ja, derisa ka theksuar se Kosova tashmë është e izoluar.
Pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka bërë me dije se e kanë ftuar në interpelancë ministrin e Financave, Hekuran Murati për mungesën e investimeve kapitale.
“Edhe sot dështoj mbledhja e Kryesisë. Të enjten do të kemi një seancë të vazhdimit dhe janë dy çështje që dua t’i adresojë. Në e kemi të thirrur në interpelancë ministrin Hekuran Murati për koeficientin që është tepër zhgënjyes dhe për mungesën e investimeve kapitale në Kosovë, por kjo nuk do të ndodhë sepse nuk ka seancë të re”.
“Kosova është izoluar, është e sanksionuar nga ShBA-ja, kryeministri dhe Kuvendi është duke e injoruar një situatë që është brengë. Kjo qasje e tregon joseriozitetin e trajtimit të temës, dhe vazhdimi i kësaj qeverie është vazhdimi i varfërimit të vendit”, ka thënë Tahiri.



