Tahiri kërkon angazhim të Kuvendit për liberalizimin e vizave

17 tetor 2022 | 13:01

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka treguar për çështje që ka ngritur në këtë mbledhje.

“E para, ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Në kryesi e kam ngritur një çështje që Kuvendi i Kosovës t’i adresohet presidencës çeke dhe të gjithë kryeparlamentarëve të vendeve anëtare, me një kërkesë që lidhet më një mosvendim për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. AAK-ja vlerëson se ky është një diskriminim klasik dhe është një zvarritje e cila nuk duhet të ndodhë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se çfarëdo sistemi që BE-ja e aplikon për vendet tjera jo anëtare të Shengenit, mund të hyjë në fuqi edhe për Kosovën pasi që të liberalizohen vizat.

“Pra, heshtja e Kuvendit nuk është e drejtë dhe për këtë e arsye ngrita këtë çështje te Kryesia e Kuvendit që të ketë një adresim serioz. Në veçanti, duke e ditur që në seancën e fundit miratuam nëntë marrëveshje ndërkombëtare, prej tyre shtatë lidhen drejtpërdrejt me BE-në. Heshtja jonë nuk i bënë hair dhe as nderë Republikës së Kosovës”, është shprehur Tahiri.
Ai ka thënë se çështja e dyta që ka ngritur në këtë mbledhje, ishte ajo për reformat pensionale.

“AAK nuk do të mbështet asnjë reformë, në qoftë se nuk votohet amandamentimi i ligjit, që është propozuar nga AAK-ja, që lidhet me personat të cilëve nuk u njihet stazhi i punës për një ditë. Ka punëtorë në arsim, shëndetësi, polici, që nuk u njihet stazhi i punës për një ditë dhe e humb të drejtën e pensionit të rregullt. Kjo është e pakuptimtë dhe për këtë, kërkova mbështetje nga LV-ja”.

“E treta, lidhet me bllokadën ekonomike në Kosovë. Komunat janë peng i mosveprimit të qeverisë dhe ligji që është sjellë në kuvend nuk është i mjaftueshëm, ka ardhur pa konsultim të organizatave buxhetore, në veçanti të komunave. Kërkojmë që me urgjencë të zhbllokohen fondet e investimeve kapitale dhe të vazhdojnë punimet në komuna. Përndryshe, do të kemi një suficit dhe një rekord të zi për qeverinë, që nga themelimi i institucioneve qeverisëse në Kosovë. Pra, kjo do të jetë qeveria, e cila në historinë e saj do të jetë më e dobëta në raport me investimet kapitale”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq si çështje të katërt, Tahiri ka thënë se ka përmendur Ligjin e Pagave.

Sipas tij, ky ligj ka përfunduar procesin e konsultimit publik qe një muaj dhe ende nuk vjen për miratim në Kuvend. “Kjo, nënkupton shtyrje edhe për një vit të zbatimit të tij. AAK-ja kërkon që ligji të vjen sa më shpejtë në Kuvend, në mënyrë që zbatimi i tij të fillojë nga 1 janari 2023 dhe jo të hyjë në fuqi me 1 janar të vitit 2024. Me ecurinë e deritanishme, ky ligj nuk ka teori të hyjë në zbatim nga janari i vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) së bashku me sponsorin…