Tahiri: Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, shkelje e sovranitetit shtetëror
Të dielën, më 16 janar, Serbia mban referendumin për ndryshimin e Kushtetutës.
Qytetarët e Serbisë do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.
Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë për këtë referendum përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.
Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës, që të lejojë votimin e qytetarëve serbë, duke aplikuar praktikat e vendosura më parë.
Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se Kosova nuk ia mohon të drejtën e votimit asnjë qytetari serb, por kjo e drejtë, sipas tij, nuk mund të “manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin”.
Edhe ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është shkelje e sovranitetit shtetëror të Kosovës.



