Tahiri: Përfaqësimi i drejtë i grave, parakusht për zhvillim dhe demokraci

26 mars 2019 | 13:49

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka thënë se përkundër avancimit ligjorë demokracia e brendshme në parti politike dhe përgjithësisht kultura demokratike është ende e dobët.

Ai ka thënë se kjo krijon efekt zinxhir në ndërtimin institucional dhe zbatimin efikas të ligjeve.

“Në kontekstin e vendit, dihet se Kosova ka kaluar në një tranzicion të gjatë dhe shumë dimensional; qoftë në rrafshin politik, ekonomik apo institucional. Nëse e shohim vetëm në rrafshin e numrave të të punësuarve në administratën shtetërore del të kalojë mbi 41për qind janë gra. Ndërkaq, në tregun e përgjithshëm të punës situata shfaqet ndryshe, përqindja e të papunëve ka diferencë kësisoj 34.8 për qind  janë gra; ndërkaq 29.5 për qind janë burra. Këtu gjithmonë duhet pasur parasysh edhe nivelin e përgjithshëm të papunëve. Kjo është tabloja e përgjithshme në nivel të punësimit. Ndërkaq, parë në rrafshin e pozitave drejtuese dhe vendimmarrëse, ajo çka mund të shihet, në qeveri ka një progres të lehtë parë ndër vite, pra siç e thekson edhe raporti, nga pika më e ulët në vitin 2015 me 5.6 për qind, në 2018 me 11.9 për qind”, ka deklaruar Tahiri gjatë prezantimit të temës: Integriteti në politikë; rruga drejt qeverisjes së mirë në kuadër të Javës së Gruas, që organizohet për të shtatën herë me radhë nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI) dhe mbështetet nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Ai ka thënë se e njëjta problematikë pothuajse na paraqitet edhe në nivel lokal, ku në pozita drejtuese politike na del se kemi vetëm 16.9 për qind gra, ndërkaq në pozita vendimmarrëse kemi një gjendje më mirë, ku në mesatare numri del 20 për qind gra.

“Ndërkaq në pozita të emëruarve politik, duhet përmendur shembullin e Drenasit që kalon 50 për qind dhe Kamenica që ka përfaqësim të barabartë. Kur jemi tek pozita politike, kuota e përfaqësimit 30 për qind për Kuvendet Komunale është ende e domosdoshme, pasur parasysh se 67 për qind  (220) e grave janë zgjedhur bazuar në kuotë dhe vetëm 33 për qind (136) kanë siguruar vet mandatet, pra nga 1002 pozita 356 janë gra”, është shprehur Tahiri, duke shtuar se e njëjta nuk qëndron edhe në mundësinë e kandidimit për kryetar komunash, ku nga 204 kandidatë, vetëm 8 ishin gra dhe se asnjëra nuk arriti të fitojë mandatin.

“Kjo paraqet dy sfida të mëdha: E para, kulturën e përgjithshme politike dhe e dyta, përfshirjen reale të grave në subjekte politike”, ka theksuar ai.

Bazuar në këtë, Tahiri ka thënë se institucionet, partnerët ndërkombëtarë dhe vet shoqëria duhet të ndërmarrim nisma më të gjëra për demokratizim, me theks në subjekte politike.

“Pra, demokratizimi i partive dhe përfaqësimi i barabartë në parti janë në korrelacion të drejtë me numrin e grave në pozita të emëruarve politikë, në influencën për pozita vendimmarrëse, e pse mos të themi edhe në fuqizimin e qeverisjes së mirë. Pra, sa më demokratike, më profesionale dhe më gjithëpërfshirëse t’i kemi partitë politike, aq më shumë do të kemi qeverisje të mirë, përfaqësim të barabartë në institucione”, ka deklaruar Tahiri.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Francës, Paul Pogba, ka vendosur ta largohet nga…