Tahiri: Pushteti i Kurtit po shndërrohet në regjim politik arbitrar
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se pushteti i Albin Kurtit po shndërrohet në regjim politik arbitrar, duke devalvuar institucionet publike dhe mekanizmat e pavarur.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se PDK-ja do t’i kundërvihet me çdo mjet demokratik e ligjor kësaj mësymje arbitrare.
Postimi i plotë i Tahirit:
Pushteti i Albin Kurtit, përveçse është shndërruar në ndërmarrje për punësim familjar, për çdo ditë po shndërrohet edhe në regjim politik arbitrar, duke devalvuar institucionet publike dhe mekanizmat e pavarur. Kjo tashmë nuk është vetëm pikëpamje jona e bazuar, por edhe pikëpamje e shoqërisë civile, partnerëve strategjik të Republikës sonë dhe çdo qytetari që po i sheh qartazi veprimet e këtij pushteti. Prandaj, ne do t’i kundërvihemi me çdo mjet demokratik e ligjor kësaj mësymje arbitrare.
Grupi Parlamentar i PDK-së, tashmë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin antikushtetues për shkarkimin e Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Që nga ngjizja e idesë për të ndërhyrë në këtë institucion, tek vlerësimi irracional dhe veprimi arbitrar për shkarkimin e tij, siç edhe në institucionet tjera të pavarura, përbëjnë tendencë të qartë për të shembur çdo traditë të mirëfilltë institucionale, brutalisht e në kundërshti me ligjet e Kushtetutën.
Por ne do ta ballafaqojmë këtë pushtet, jo vetëm me këtë rast por me çdo rast e shkelje që po e ndërmerr me paramendim, në dëm të institucioneve publike e të pavarura të shtetit tonë.



