
Tahiri: Qeveria Kurti nuk po merret fare me Asociacionin sepse e ka bërë kauzë
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se nuk e ka lexuar draft statutin për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të publikuar nga organizata gjermane FES, Friedrich-Ebert-Stiftung, pasi sipas saj, problemi kryesor aktualisht lidhet me Qeverinë.
“Nuk e kam shikuar. Jam marrë me këtë proces në kohën e Brukselit kur isha negociatore. Kemi një problem politik në Kosovë që lidhet me Qeverinë e Kosovës e cila, duke qenë se e ka bërë kauzë këtë temë, e ka kundërshtuar, i ka premtuar elektoratit që nuk do ta pranojë dhe tani nuk merret fare. Debati tashmë ka mbetur te zërat dhe të ata që nuk kanë mandat. Mandati i Asociacionin si detyrim ndërkombëtar është i qeverisë. Të gjithë po presim që të flasë”, u shpreh Edita Tahiri për A2 CNN.
Po ashtu, sipas ish-kryenegociatores në bisedimet me Serbinë, Qeveria e Kosovës po “luan” aktualisht në mbrojtje dhe siç u shpreh ajo, në negociata kur qëndron në mbrojtje, je humbës.
“Nuk e dëgjuam fare qeverinë të merrej me planin franko-gjerman që ka mungesë të njohjes reciproke, sepse është e kurthuar nga kjo temë e Asociacionit. Nuk po mund ta shtyjë përpara këtë plan. Njohja reciproke është marrëveshja finale që pritet”, ka deklaruar Tahiri.