Vuçiq thotë se ka biseduar me Blinkenin për dialogun me Kosovën

01 shkurt 2023 | 23:18

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me të cilin kanë diskutuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një njoftimi të Qeverisë serbe, Vuçiq bisedoi me Blinkenin për “situatën në Kosovë e Metohi, rrugën evropiane të Serbisë dhe raportet dypalëshe midis Serbisë dhe SHBA-së”.

“Zyrtarët shkëmbyen mendime lidhur me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, teksa presidenti Vuçiq veçanërisht theksoi se paqja dhe stabiliteti në të gjithë rajonin dhe e ardhmja e sigurt ekonomike janë synime kyçe për të gjithë ata që jetojnë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Biseda midis Vuçiqit dhe Blinkenit vjen një ditë para se Parlamenti serb, përmes një seance të posaçme, të diskutojë për Kosovën.

Në këtë seancë pritet që deputetëve serbë t’iu prezantohet një raport për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, në këtë raport nuk pritet të përfshihet plani evropian apo i njohur edhe si plani franko-gjerman.

Ky plan, që ka mbështetjen edhe të SHBA-së, synon të ndihmojë palët që të ecin drejt normalizimit të plotë të raporteve.

Vuçiq ka deklaruar se nuk ka një afat kohor që të pranohet ky plan, duke theksuar se nuk mendon“se dikush në Serbi do të jetë i lumtur me këtë plan”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari dhe drejtori i OJQ “Zëri Perëndimor i Kosovës”, Sali…