Tahiri thotë se do të ketë dënime të ashpra për keqpërdoruesit e parasë publike

12 prill 2018 | 12:26

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka prezantuar ndryshimet që janë në bërë në Kodin e ri Penal.

Ai ka treguar se në hartimin e këtij kodi janë bazuar në tri parime themelore, përcaktimi i qartë për sundim të mirëfilltë të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; fleksibilitet më i madh në punën e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit; dhe mbrojtje, promovim dhe avancim të nocionit të të drejtave të njeriut.

Në nenet që përcaktojnë luftë më të ashpër ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ministri Tahiri ka bërë të ditur se janë ndryshuar nenet që nga  kontrabandimi, e deri të mashtrimi dhe prodhimi i produkteve të dëmshme, si dhe ripërcaktimin e veprave penale të korrupsionit, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrjen e dhënien e ryshfetit, mashtrimin në detyrë, etj.

Sipas ministrit Tahiri, këto ndryshime i japin një përgjigje të fuqishme kërkesave për parandalimin e veprave korruptive në nivelin e ushtrimit të detyrës zyrtare.

“Dënimet për vepra penale që ndërlidhen me korrupsionin, ku do që ka pasur mundësi janë rritur dhe janë bërë kumulative në vend se alternative. Këto masa janë përkushtim konkret i yni për të mbrojtur integritetin e institucioneve tona dhe për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin në mënyrë të vazhdueshme dhe të pa  kompromis”, ka thënë Tahiri.

Edhe ndryshimet e parapara me koncept dokumentin për suspendimin e zyrtarëve publik në rast të ngritjes së aktakuzave për korrupsion, janë përfshirë në këtë Kod.

“Rrjedhimisht janë propozuar amendamentet e reja që i ndalojnë personit zyrtar ushtrimin e funksionit në administratën publike apo në shërbimin publik deri në 10 vjet nga aktgjykimi dënues. Kjo dispozitë parasheh që kur zyrtari publik të dënohet për vepër penale të korrupsionit, atij t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve në shërbim publik deri në dhjetë vjet”, ka thënë ministri Tahiri.

Në këtë konferencë për medie Tahiri ka bërë me dije se në ndryshimin e mbi 100 neneve, janë përfshirë mbi 180 anëtarë të grupeve dhe nëngrupeve tematike, nga konzorciume të mëdha të shoqërisë civile, mediave, institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në një proces transparent dhe demokratik për hartimin e këtij projektligji, që është njëri prej më të rëndësishmëve legjislativ të hartuar nga Ministria e Drejtësisë.

 /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jakup Krasniqi Nga Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë, pas pjesës së…