Tahiri: Zhvillim ekonomik lokal, prioriteti kryesor për komunat në 2019-n

09 janar 2019 | 18:04

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka pritur të mërkurën në takim, përfaqësuesen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim (SDC) në Kosovë, Saranda Cana-Pruthi, drejtuesin e projektit DEMOS Norbert Pijls dhe sekretaren e përgjithshme të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Rozafa Ukimeraj.

Tahiri ka theksuar se sa i përket qeverisjes lokale, janë dy synime kryesore ku do të fokusohet puna e Qeverisë së Kosovës.

“Kryeministrit Haradinaj prioritetin kryesor, për këtë vit, e ka zhvillimin ekonomik në nivel vendi. Dhe një fokus i veçantë në punën me komuna do ti kushtohet zhvillimit ekonomik lokal (LED). Për këtë, do të punohet në fusha sektoriale nga niveli qendror, dhe në koordinim të ngushtë me komunat dhe partnerët zhvillimorë për të orientuar fondet zhvillimore në funksion të zhvillimit ekonomik lokal dhe gjenerimit të punësimit. Kjo do të realizohet në orientim me Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2019-2023, duke synuar përmbushjen e objektivave, si rritja e qëndrueshmërisë financiare e komunave, tërheqja e investimeve të huaja, fuqizimi i ekonomisë lokale përmes investimit në kapitalin njerëzor dhe shfrytëzimi i resurseve në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, ka thënë Tahiri, duke folur edhe për synimin e dytë.

“Analiza e plotë funksionale e qeverisjes lokale për të identifikuar në hollësi problemet në lidhje me kompetencat, financimin dhe nevojat e komunave, e për të filluar një proces të strukturuar dhe agjendë afatgjatë të reformimit të qeverisjes lokale. Lidhur me këtë, diskutuam për koordinimin dhe mbështetjen e cila do t’i ofrohet Kosovës nga partnerët zhvillimorë, ndër më të rëndësishmit, siç është edhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC), si dhe u shkëmbyen ide mbi zgjidhjen e problemeve të shumta aktuale që ndërlidhen me nivelin lokal”, ka thënë Besnik Tahiri, koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Jashtme e Kazakistanit ka bërë me dije se…