
Takimi i Procesit të Berlinit këtë vit zhvillohet në Londër, Kosova konfirmon pjesëmarrjen
Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet sivjet në Londër, gjatë muajit tetor.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Kosova ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë samit.
Emisarja e Britanisë, Karen Pierce ka thënë se pret që të takojë përfaqësuesit e Kosovës në takimet në kuadër të këtij samiti.
Pjesëmarrja e Serbisë në këto takime nuk është konfirmuar nga Pierce. Ajo do të zhvillojë një telefonatë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Paraprakisht, emisarja britanike zhvilloi telefonatë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe ndihmon integrimin e këtyre shteteve në Bashkimin Evropian. Ajo u lansua në 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel.
Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që ta rrisin bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – dhe gradualisht t’i afrojnë ato më pranë BE-së.
