Protestojmë për të ardhmen e atdheut tonë

06 gusht 2025 | 00:08

Shkruar nga Ethem Çeku

Ngrihemi në protestë, sepse kur e vërteta hesht, padrejtësia fillon të flasë.

Kjo protestë nuk është kundër të tjerëve – ajo është në mbrojtje të vetvetes, të kujtesës kolektive dhe të së drejtës për të jetuar me dinjitet në shtetin që kemi ndërtuar me përkushtim dhe sakrificë.

Ne nuk ngrihemi nga mllefi, por nga ndërgjegjja e qartë se themelet e Republikës sonë janë vënë në pikëpyetje jo përmes argumenteve të drejtësisë, por përmes ndërhyrjeve që rrezikojnë të shtrembërojnë narrativën tonë historike.

Republika e Kosovës nuk është produkt i rastësisë, por i ndërgjegjes kombëtare.

Ajo u projektua në ndërgjegjen e një populli të shtypur, u bart në breza përmes vuajtjes dhe u konkretizua përmes sakrificës dhe përpjekjeve kolektive për liri.

Sot, kur kjo Republikë përballet me dyshime dhe sfida të natyrës politike e juridike,

ne nuk kemi të drejtë të heshtim.

Heshtja do të ishte bashkëfajësi në deformimin e së vërtetës.

Të barazosh çlirimin me krim dhe sakrificën me faj, është të mohosh vetë parimet mbi të cilat është ndërtuar qytetërimi bashkëkohor.

Populli i Kosovës ka dëshmuar me vepra se beson në drejtësi – dhe për drejtësi ka sakrifikuar ndër shekuj.

Pikërisht për këtë arsye, nuk mund të pranojmë që drejtësia të shndërrohet në mjet për relativizimin e së vërtetës sonë historike.

Kjo protestë është qytetare dhe e pavarur nga çdo llogari apo interes politik.

Ne e refuzojmë instrumentalizimin e drejtësisë për qëllime të ngushta, si dhe përdorimin e ngjyrimeve politike për të rrezikuar legjitimitetin moral të Republikës së Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte një zgjedhje e lehtë, por një përgjigje e domosdoshme ndaj padrejtësisë ekstreme.

Ishte reagimi i një populli të përjashtuar, që kërkonte të jetonte në liri, në paqe dhe në dinjitet.

Ky reagim u kuptua dhe u mbështet nga bota demokratike – dhe u njoh si pjesë legjitime e të drejtës për vetëmbrojtje dhe çlirim.

Sot, i drejtohemi sërish botës së qytetëruar, e cila dikur qëndroi në anën tonë, që të mos lejojë deformimin e vlerave për të cilat u derdh gjaku i pafajshëm dhe mbi të cilat u ndërtua paqja.

Ballkani ka nevojë për drejtësi të vërtetë, e jo për drejtësi të përdorur si instrument i përçarjes.

Ka nevojë për kujtesë që pajton, jo për harresë që ndëshkon.

Për këtë arsye, sot protestojmë.

Si qytetarë të lirë, si mbrojtës të vlerave demokratike, si bij dhe bija të një populli që nuk pranon të poshtërohet në heshtje.

Ne e duam Republikën. E duam si amanet, si përgjegjësi dhe si vlerë që duhet mbrojtur.

Dhe nuk do të lejojmë që liria jonë të gjykohet, ndërsa padrejtësia të mbulohet me heshtje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte në Pressing në studio te Leonard Kerquki për rrëfimin…