Taksa duhet të pezullohet

18 mars 2019 | 11:42

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Melihate Tërmkolli, ka bërë me dije se taksa ndaj produkteve serbe duhet të pezullohet. Ajo ka thënë se tashmë kjo taksë po prodhon vetëm efekte kundër Kosovës duke e dobësuar edhe më tutje pozicionin në dialogun me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka treguar se njohja e Kosovës nga Serbia do të arrihet vetëm me ndihmën e ShBA-së.

“Taksa tashmë duhet të pezullohet urgjentisht. Nuk u menaxhua në arritjen e qëllimeve të deklaruara. Njohja e Kosovës nga Serbia realizohet vetëm me përkrahjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me ShBA-në dhe miqtë e tjerë. Taksa tani po prodhon vetëm efekte kundër Kosovës duke dobësuar edhe më tutje pozicionin tonë dialogues. Sugjerimet për pezullim të taksës janë nga të gjithë miqtë e partnerët tanë më të mëdhenj, nga ShBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe etj”, ka thënë ajo.

Ajo ka vlerësuar se qeveria me mosrespektimin e këshillës amerikane për këtë çështje është duke rrezikuar interesat e vendit.

“Qëndrimi i Qeverisë PAN lidhur me taksën po rrezikon seriozisht interesat e vendit tonë, ndërsa roli i drejtuesve të PDK-së në këtë rast është tepër hipokrit dhe skajshmërisht i dëmshëm. Duhet të jemi në përputhje me gatishmërinë e miqve tanë për dialog që do të sjellë njohje reciproke. Të gjithë na kanë njohur në kufijtë ekzistues të shtetit tonë”, është shprehur Tërmkolli.

Zyrtarja e LDK-së ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme të kësaj partie që pritet të fillojnë së shpejti. Tërmkolli pret që në këto zgjedhje do të jetë një proces normal dhe i rregullt zgjedhor.

“LDK-ja ka shumë personalitete të tilla, filluar nga presidenti Sejdiu dhe të tjerë që janë përmendur e nuk janë përmendur. Në rrethanat në të cilat gjendet vendi ynë, LDK-ja nuk ka as kohë e as mundësi për eksperimente. LDK-së i duhen të gjithë”, është shprehur ajo, duke shtuar se është e mundshme një marrëveshje politike e LDK-së për këtë çështje. “Marrëveshja është e mundshme dhe e dobishme gjithnjë derisa është e sinqertë dhe korrekte me veten dhe të tjerët. Unë besoj në LDK-në, në brumin e saj të frymës rugoviane moderne”, ka thënë Tërmkolli.

“Epoka e re”: Znj. Tërmkolli, cili është vlerësimi juaj për situatën politike në vend?
Tërmkolli: Është situatë e rëndë, e tensionuar edhe brenda, edhe në marrëdhëniet me miqtë dhe partnerët tanë më të mëdhenj. Jemi në një pikë rreziku serioz, ndërsa po sillemi sikur jemi maja e botës dhe krejt bota varet nga ne. Është sjellje zaptuesish të shtetit, të jetës së qytetarëve, sjellje bajraktarësh me elemente të diktatorëve të vegjël. Pasojat për shtetin dhe qytetarët, për të sotmen dhe të ardhmen, janë të paimagjinueshme. Shqetësohem shumë për mundësinë e eskalimit të gjendjes, nga një krizë dhe trazira që na kthejnë më mbrapa se zero. Shenjat për një mundësi të tillë janë të dukshme, edhe interesi i Serbisë e Rusisë për diçka të tillë është evident. Ndërsa ne po shesim “çallmë” me Amerikën.

“Epoka e re”: Kosova është në prag të fillimit të fazës finale të dialogut me Serbinë, por pozita dhe opozita ende nuk kanë arritur një konsensus për këtë çështje, ndonëse kemi një delegacion shtetëror dhe një platformë të miratuar në kuvend. A është i mundshëm konsensusi nacional?
Tërmkolli: Nuk ka delegacion shtetëror dhe as platformë konsensuale. Edhe delegacioni edhe platforma janë të Qeverisë PAN, madje jo me përfaqësuesit e parë të tyre. Jashtë tyre janë subjektet më të mëdha politike, LDK-ja, VV-ja, PDK-ja, përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe personalitete të shoqërisë civile. Kryeministri hoqi dorë nga detyrimi kushtetues për t’i udhëhequr bisedimet. Nuk është pjesë as kryetari i Kuvendit. Nuk dihet raporti i delegacionit me presidentin. Konsensusi është i domosdoshëm dhe ai nënkupton një qeveri të riformatuar gjithëpërfshirëse me LDK-në në krye të këtyre proceseve ose mbajtja e zgjedhjeve të reja.

 “Epoka e re”: Pavarësisht prej kërkesës së vazhdueshme të miqve ndërkombëtarë për pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe, qeveria po vazhdon ta mbajë taksën. Çfarë duhet të bëjë qeveria dhe a po lëndohen raportet me ShBA-në në këtë mënyrë?
Tërmkolli: Taksa tashmë duhet të pezullohet urgjentisht. Nuk u menaxhua për arritjen e qëllimeve të deklaruara. Njohja e Kosovës nga Serbia realizohet vetëm me përkrahjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me ShBA-në dhe miqtë e tjerë. Taksa tani po prodhon vetëm efekte kundër Kosovës duke dobësuar edhe më tutje pozicionin tonë dialogues. Sugjerimet për pezullim të taksës janë nga të gjithë miqtë e partnerët tanë më të mëdhenj, nga ShBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe etj. Qëndrimi i Qeverisë PAN lidhur me taksën po rrezikon seriozisht interesat e vendit tonë, ndërsa roli i drejtuesve të PDK-së në këtë rast është tepër hipokrit dhe skajshmërisht i dëmshëm. Duhet të jemi në përputhje me gatishmërinë e miqve tanë për dialog që do të sjellë njohje reciproke. Të gjithë na kanë njohur në kufijtë ekzistues të shtetit tonë.

 “Epoka e re”: LDK-ja shumë shpejt pritet ta nisë procesin e brendshëm zgjedhor. Si pritni të shkojë ky proces?
Tërmkolli: Besoj do të jetë një proces normal dhe i rregullt zgjedhor. Fuqia politike e LDK-së është më e madhe sesa që mund të mendojnë dashakëqijtë.

“Epoka e re”: Tashmë disa prej figurave kryesore të këtij subjekti politik kanë lënë të kuptohet se do të kandidojnë për kryetar të LDK-së. Pretendimi i shumë kandidaturave për këtë post, a mund të nxisë përçarje të brendshme?
Tërmkolli: Pretendimi për kandidim është normal dhe legjitim për secilin anëtar të LDK-së. Mendoj se LDK-ja në çdo fazë të zgjedhjeve të brendshme do të demonstrojë pjekuri politike e kombëtare për ta zgjedhur kryetarin dhe mekanizmat e tjerë të saj me personalitete domethënëse jo veç për LDK-në, por edhe për Kosovën. LDK-ja ka shumë personalitete të tilla, filluar nga presidenti Sejdiu dhe të tjerë që janë përmendur e nuk janë përmendur. Në rrethanat në të cilat gjendet vendi ynë, LDK-ja nuk ka as kohë e as mundësi për eksperimente. LDK-së i duhen të gjithë.

 “Epoka e re”: Z. Lutfi Haziri veçse e ka bërë publike kandidaturën për postin e të parit të LDK-së. Ai ka thënë se kësaj parti i duhet një marrëveshje politike për këtë çështje. Sa është e mundshme kjo?
Tërmkolli: Marrëveshja është e mundshme dhe e dobishme derisa është e sinqertë dhe korrekte me veten dhe të tjerët. Unë besoj në LDK-në, në brumin e saj të frymës rugoviane moderne.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli televiziv Kylie Jenner mbrëmë ka qenë në një ndejë…