Targat e çojnë peshë Serbinë, Vuçiqi paralajmëron luftë

03 nëntor 2022 | 08:23

Vendimi i qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në RKS, ka ngjallur reagime të ashpra në Serbi. Zyrtarë serbë kanë nisur të japin deklarata skandaloze dhe propaganduese. Ndërkohë, kërcënime filluan ditën kur Kosova nisi shkallën e parë të sanksionimit të vozitësve të veturave me targa ilegale.

Fillimisht ishte kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ai që paralajmëroi trazira në veri të vendit. Rakiq tha se nëse nuk ndryshohet vendimi për targat dhe policët tentojnë të konfiskojnë vetura serbe, atëherë do t’i barrikadojnë kufijtë.

Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se ky vendim nuk është në përputhje me marrëveshjet që janë bërë. Ndërkohë, shtoi se vendimi i kryeministrit, Albin Kurti për riregjistrim është i paligjshëm dhe i dhunshëm.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës veriore, Milan Radojeviq duke shprehur pakënaqësi për mos shtyrje të afatit për targat, tha se as paralajëmrimet e policisë për gjoba nuk do të ndryshojnë qëndrimin e serbëve.

Radojeviq theksoi se targat nuk do të ndryshojnë vetëm për shkak të “tekave të një njeriu nga Prishtina”.

Deklarata më të ashpra dhe nxitëse i bëri dje ministri i Mbrojtjes në Serbi, Milosh Vuçeviq. Ai deklaroi se ushtria serbe është ngritur në gjendje gatishmërie.

Vuçeviq tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq si komandant i përgjithshëm, i ka dhënë urdhër ushtrisë serbe që të jetë në gatishmëri. Ai ka thënë se ky urdhër ka ardhur pas vendimit të qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në RKS.

Më pas  ministri i Mbrojtjes së këtij shteti vizitoi bazën e ushtrisë serbe në Rashkë, qytetin më të afërt me Kosovën.

Tentimi i Serbisë për destabilizimin

Mediumi serb “Vecernje Novosti” mbrëmë se dronë të panjohur kanë vëzhguar kazermat dhe pozicionet e ushtrisë së Serbisë.

Sipas raportimeve, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq vendosi të ngre në qiell aeroplanët MiG-29, “për të vëzhguar territorin dhe për të intervenuar në rast të ndonjë sulmi”.

Ky lajm u përhap menjëherë pas vizitës së ministrit serb të mbrojtjes në bazën e ushtrisë në Rashkë.

Lajmin e mediumit serb e konfirmoi edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq e cila tha se  bëhet fjalë për sigurinë e serbëve në Kosovë.

“Ashtu është, dronët filmuan një pozicion në Zonën e Sigurisë Tokësore dhe dy kazerma. Për këtë jam informuar nga Presidenti i Republikës i cili ka dhënë urdhër që të forcohet mbrojtja në ajër, e cila tashmë është një gjendje e përhershme. Nëse kjo ndodh përsëri, ne do të rrëzojmë të gjithë avionët. Nuk do të jepja më shumë informacion, presidenti do të thotë më shumë për këtë, si dhe ministri i mbrojtjes Millosh Vuçeviq”, tha ajo.

Lidhur me deklarimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për gjoja lëvizjen e dronëve të panjohur nga territori i Republikës së Kosovës mbi vendbanimin e Rashkës, reagoi ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Mehaj tha se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta. Sipas tij, diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve.

Tutje, Mehaj shtoi se ky është edhe një tentim për destabilizimin e Republikës së Kosovës përmes ngjalljes së frikës tek komuniteti serb, qytetarët tanë, për gjoja masat e dhunshme që priten të ndërmerren nga ana e institucioneve të qeverisë.

Thirrja e dy ish-deputetëve për armatosje të popullatës

Pas paralajmërimeve për destabilizim të situatës, institucioneve kosovare po iu kërkohet të jenë në gjendje gatishmërie.

Se qeveria e Kosovës  dhe qytetarët duhet të përgatiten për çdo sulm nga Serbia e tha sot anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Kurteshi tha se serbët nuk e kanë problematike çështjen e targave, por prishjen e rrënjëve të zhvillimit të krimit që e kanë bërë deri tani.

“Një gjë duhet ta dimë që Qeveria e Kosovës dhe shoqëria e Kosovës duhet të përgatitet për çdo eventualitet dhe çdo sulm nga Serbia. Nuk ka të bëjë gjithçka me targat por me prerjen e rrënjëve e kalimeve për zhvillimin e krimit siç e kanë pasur deri tash”, theksoi Kurteshi.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri i bëri thirrje dje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes, Vjosa Osmani që ta armatosin popullatën duke thënë se Serbia flen ditën e punon natën.

“Kryeministër, e di që je i stërngarkuar por e dimë mirë se në raport me Serbinë të gjithë liderët e partive i ke mbrapa. Lidhur me këto tituj që i publikova të cilat po vijnë nga Serbia, nuk na mbetët gjë tjetër pos armatimi i popullit tonë. Pleqët nuk janë kanë budall kur na thoshin: Evlad, Serbia flen ditën e punon natën për me e marrë Kosovën prapë. Pra, kam një kërkesë për ju dhe presidenten e vendit?! Armatoseni popullatën tonë sepse serbet e Veriut i ke të armatosur ,këtë e dini edhe ju”, shkroi Tahiri në Facebook.

Ndonëse, presidenti dhe kryeministrja serbe po vazhdojnë kërcënimet ndaj Kosovës, homologët e vendit ende nuk kanë reaguar. Kryeministri, Albin Kurti i cili aktualisht ndodhet në udhëtim zyrtar në Londër, nuk e ka shkruar asnjë fjalë për këtë çështje. E reagim nuk ka pasur as nga presidentja, Vjosa Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Gojbulë…