Taulant Xhaka mbron Granitin: Nuk bën t’i vërshëllesh lojtarët e tu

16 dhjetor 2019 | 22:05

Futbollisti i Bazelit dhe Kombëtares së Shqipërisë, Taulant Xhaka, ka folur për “Blick” për shumë çështje, përfshirë edhe problemet që kishte vëllai i tij, Graniti, me tifozët e Arsenalit e që, si pasojë e tyre, e humbi shiritin e kapitenit dhe nuk po luan më rregullisht te “Topçinjtë”.

Dueli kundër vëllait tuaj, Granitit, është i pamundur, sepse edhe Arsenali e kryesoi grupin e vet…
Xhaka: Kjo do të kishte qenë diçka shumë e veçantë, natyrisht por, mbase, do të takohemi në raundet e mëtejme (qesh).

Thuhej që Graniti do të largohej nga Arsenali në dimër, pas rrëmujës me tifozët. Si i përjetuat tërë ato gjëra?
Xhaka: As që e vura re në fillim. Dikushmë dërgoi videon e acarimit të vëllait gjatë zëvendësimit dhe mendova se ishte dëmtuar. Unë mendoj se ishte e turpshme, sepse nuk bën t’i vërshëllesh lojtarët e tu, edhe nëse ata kanë pasur një ditë të keqe.

 Graniti, gjithashtu, i ka provokuar tifozët…
Xhaka: Kjo që thoni nuk është e saktë. Në një moment kontestimi si ai, gjithkujt i shfaqen emocionet dhe nuk mendon me kthjelltësi. Ai më pas kërkoi falje. Kam folur me të shumë herë gjatë kësaj kohe. Nuk ishte e lehtë për të. U gjend nën një presion tepër të madh e të padrejtë.

Çfarë i këshilluat të bënte?
Xhaka: Unë i thashë të përmbahet, sepse gjithmonë do të ketë tifozë që të vërshëllejnë. Ky është futbolli.

A janë pritshmëritë karshi Granitit në Londër shumë të larta?
Xhaka: Duhet të ketë diçka, që lidhet me faktin e të qenurit kapiten. Graniti thotë atë që mendon menjëherë. Unë i thashë që duhej t’i kuptonte tifozët sepse, në fund të fundit, rezultatet e Arsenalit nuk janë të mira.

Unai Emery, që tashmë u shkarkua nga Arsenali, a e la Granitin të pambrojtur në atë çast?
Xhaka: Ju nuk mund ta fajësoni gjithmonë trajnerin. Në fund të fundit, duhet të përformoni vetë në fushë. Graniti është një lojtar që jep gjithmonë gjithçka, pavarësisht se ku luan. Edhe me Gladbach nuk e kishte të lehtë në fillim, pastaj u bë një nga mesfushorët më të mirë në Bundesligë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Shqipërisë në një deklaratë për mediet bëri…