Bayerni i dërgon mesazh Real Madridit për Olisen
Bayern Munich nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e Michael Olises, pavarësisht interesimit të Real Madridit për sulmuesin francez.
Drejtori i përgjithshëm i klubit gjerman, Jan-Christian Dreesen, ka konfirmuar se synimi i bavarezëve është ta mbajnë Olisen për një kohë sa më të gjatë. Ai ka bërë të ditur se në të ardhmen e afërt pritet të nisin bisedimet për përmirësimin e kontratës së tij, e cila skadon në qershor të vitit 2029.
Dreesen beson se Olise mund ta fitojë Topin e Artë edhe duke luajtur në Bundesligë, duke theksuar se Bayerni i ofron kushtet e duhura për të shkëlqyer.
Vendosmëria e klubit bavarez mbështetet edhe te paraqitjet e sulmuesit këtë sezon. Olise ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë shtatë asistime në 12 ndeshje zyrtare, duke regjistruar gjithsej 981 minuta në fushë.



