Të bashkuar mund të luanim në kompeticionet më të rëndësishme
Ndeshja miqësore në mes të Shqipërisë dhe Kosovës e zhvilluar të mërkurën në Elbasan, i bëri shumë dashamirës të futbollit të mendonin për potencialin që do të kishte një skuadër e bashkuar. “Dardanët” së fundmi po kanë probleme në mbrojtje, teksa Shqipëria për shumë ndeshje para kësaj nuk arrinte ta gjente rrugën për te goli e bashkimi i dy skuadrave do të krijonte një skuadër të përkryer, sipas trajnerit Bylbyl Sokoli.
“Profa” në një intervistë për “Sport Ekspress” ka dhënë mendimin e tij se pse dy skuadrat do të duhej të bashkoheshin.
“Ky ishte një takim ku më tepër i kushtuan rëndësi që t’i kënaqnin të ftuarit. Nuk pamë ndonjë rivalitet në fushë. Të dy ekipet nuk treguan ndonjë motiv për ndeshjen, u bënë shumë ndërrime dhe u lanë hapësirë atyre futbollistëve që kanë pasur më pak minuta aktivizimi më parë. Në ndeshjet e fundit te Kosova po mungon fryma e grupit që ka qenë më herët. Cilësia e Kosovës ka qenë loja në grup, e cila do të kthehet kur përbërja të jetë e kompletuar”, ka thënë Sokoli.
“Sa iu përket kritikave rreth Zhegrovës, është i ri dhe ka nevojë për punë profesionale dhe pedagogjike. Potenciali i tij është i pamohueshëm dhe duhet të shfrytëzohet. Kjo është puna e trajnerit Bernard Challandes. Vlerësimi përfundimtar i ndeshjes? Pikërisht kjo shpërndarje e cilësisë në dy ekipe nuk mundëson që shqiptarët të kenë një ekip të kualifikuar në Evropian ose Botëror. Një kombëtare është në interesin e shqiptarëve”, ka deklaruar Sokoli.



