Të falemnderit, Zot!

28 dhjetor 2019 | 09:14

Joumana Haddad

 

Faleminderit Zot
për cunamin në Indonezi,
për uraganin Katrina
dhe për tërmetin e fundit në Japoni.

Faleminderit për Luftën e Parë Botërore,
për Luftën e Dytë
dhe për gjithë ato që na përgatit për Krishtlindje, çfarëdo qofshin.

Faleminderit Zot
për foshnjat që vdesin nga uria në Afrikë,
për foshnjat që vdesin prej urrejtjes në Palestinë.

Faleminderit për Xhorxh Bushin, Mahmud Ahmadinexhadin
dhe për të bukurin Adolf Hitler.

Faleminderit për shpërthimet vullkanike, ciklonet, meteorët,
për Hiroshimën, Çernobilin dhe masakrën në Kana.

Për sidën, kancerin dhe parkinsonin.
Faleminderit Zot
për të verbrit, aksidentet rrugore,
për racistët, përdhunuesit dhe pedofilët.

Dhe faleminderit për murgeshat.
Faleminderit për priftërinjtë,
për ajatollahët dhe vahabitë.

Faleminderit për kolerën dhe aksidentet e avionëve,
për jetimët, të vejat dhe fëmijët lypsarë.
Faleminderit për fushat e minuara
dhe lojërat e jashtëzakonshme të shfarosjes në masë.

Para se të harroj,
Faleminderit,
faleminderit për vrimën e ozonit.
(Kisha nevojë për nxirje intensive).

Faleminderit Zot për Al-Kaidën,
për burkën dhe Playboyn.
Faleminderit për gratë e shtypura,
për krimet e nderit,
për hakmarrjen dhe padrejtësinë.

Faleminderit për zemrat e thyera, tradhtitë dhe zhgënjimet.
Për betimet e kota dhe ëndrrat e vjedhura.
Faleminderit për makthet
dhe jetët që ju ngjajnë.
Faleminderit për njerëzit kokëfortë,
për budallenjtë dhe ata të pamëshirë.
Faleminderit për thikat pas krahëve, për gratë e rrahura.
Për peshkaqenët e Wall Streetit dhe krimet në seri.
Faleminderit për bubuzhelët dhe diktatorët,
kënaqësi e veçantë të mësosh se u mbijetojnë bombave bërthamore.

Faleminderit Zot
për gjykimin e fundit, për fast-food-et,
për leshin dhe penisët e vegjël.
Faleminderit për martesën dhe ferrin.
Këto dy të fundit shkojnë shumë bashkë.

Mbi të gjitha, i dashur Zot,
faleminderit për Zotin.
Mes gjithë hatave që polle,
goditja mjeshtërore
Je vetë Ti!

(Përktheu, për numrin e dytë të revistës “Akademia”, Miranda Içi)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka…