Të gjithë i fitojnë zgjedhjet, vetëm një parti apo koalicion do të jetë fitues!

15 gusht 2019 | 11:03

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Kush do të jetë i dyti sepse i pari dihet: Një mik imi më tha se më është lagur baroti dhe se nuk po më dëgjohet zëri në këto çaste historike (si të gjitha ngjarjet e tjera në Kosovë) dhe se po më mungon guximi për t’i parashikuar rezultatet e zgjedhjeve eventuale të parakohshme që pritet të mbahen në tetor të vitit 2019. Realisht, edhe më herët pata thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen në muajin nëntor të këtij viti, por disa zhvillime të paparashikuara e shpejtuan këtë proces që ka filluar të bëhet i mërzitshëm për faktin se zgjedhjet nuk po janë zgjidhje dhe nuk po sjellin cilësi të dëshiruar të qeverisjes. Të mbajnë njëfarë rendi:

Gjykata Speciale si katalizator i zgjedhjeve të parakohshme: Opozita e Kosovës, e fuqishme në numra, por impotente në veprime, LDK-ja dhe LV-ja, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të fundit e ka pasur vetëm një kërkesë: organizimin e zgjedhjeve të reja. Tërë kohën e ka bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës me seanca të jashtëzakonshme duke i dhunuar seancat e rregullta. Tehu i luftës për pushtet ishte drejtuar kundër kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj, kurse PDK-në e konsiderojnë më armiqësore se të gjitha ish-pushtetet e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene, Jugosllavisë së AVNOj-it, asaj të Zhablakut, Serbisë së Millosheviqit, Ilija Garashaninit, Nikolla Pashiqit, Drazh Mihajlit, Aleksandar Rankoviqit dhe Sllobodan Millosheviqit, kurse Josip Broz Titon nuk e fus në këtë mes sepse jo pak politikanë të opozitës në Kosovë janë spermatozoidë politikë të Titos. Thuaja ishin afër sigurimit të nënshkrimeve për mocion për rrëzimin e qeverisë Haradinaj. Në këtë kontekst i luteshin Gjykatës Speciale që sa më shpejt të arrestojë kundërshtarë politikë e që ishin në pozitë, në mesin e të cilëve e pranoj se ka keqbërës të mëdhenj, hajdutë të shndërruar në milionerë si pasojë se u bënë dirigjentë të krimit të organizuar dhe të tjerë, të hirit dhe të konopit, me të cilët ishin të gatshëm të bashkëpunonin më parë për marrje të pushtetit. Dëshira e tyre shkoi në vesh të Zotit (Gjykatës Speciale) e cila e thirri, në cilësinë e të dyshuarit për intervistim, kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili duket të jetë i parapaguar te të gjitha gjykatat për krime lufte, si klient i pashmangshëm, që nga Tribunali i Hagës, gjykatat hibride të UNMIK-ut (e përbërë nga gjykatës ndërkombëtarë dhe atyre të Serbisë), gjykatat e EULESH-it, që e bënë punën, jo lesh, por krejt m.t, nga gjykatat e Serbisë dhe, më e reja, nga Gjykata Speciale. Ramush Haradinaj e bëri një veprim të admirueshëm shtetëror dhe moral duke dhënë menjëherë dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe duke shkuar në Hagë si person apo individ privat në mënyrë që Kosovën mos ta ngatërrojë në këtë prostitucion të drejtësisë. Tash reagimet ishin se Ramushi dezertoi dhe se nuk ka pasur nevojë të dorëhiqet sepse këtë nuk e bëri askush deri më tani. Ta shohim anën tjetër: po të kishte shkuar Ramushi në Hagë si kryeministër i Kosovës, do të sulmohej nga po këta partizanë kujdestarë se, vetëm për ta ruajtur pushtetin, nuk ka pranuar të dorëhiqet nga posti dhe në këtë mënyrë po e ngatërron edhe shtetin e Kosovës përmes postit më të lartë ekzekutiv, në krime të luftës. Tash po thonë se Ramushi nga kjo dorëheqje dëshiron të përfitojë politikisht! E pse të mos të ketë të drejtë të përfitojë politikisht kur ka investuar aq shumë (dorëheqja nga posti), ndërsa të tjerët, pa e bërë edhe investimin më të vogël në shërbim të vendit dhe popullit, duan ta marrin pushtetin e që është edhe më keq, angazhimin e tyre të mëparshëm kundër popullit dhe vendit, duan ta materializojnë me marrje të pushtetit. Historia e Kosovës dhe shqiptarëve nuk ka filluar në vitin 1989, por shumë më herët. Nëse asgjë nuk ka bërë gjatë këtij mandati të përgjysmuar të Ramush Haradinajt, vendosja e taksës 100 % për mallra nga Serbia e Vuçiqit dhe Bosnja e Dodigut, ia lanë të gjitha të tjerat sepse ka penguar ndarjen e Kosovës. Realisht, i biri i Fahriut dhe Shimi patën prerë rroba për nënshkrim të marrëveshjes “historike” dhe detyruese në Garden Roses, në oborrin e marrë me qira nga Trampi për katër vjet sikur që mendonin se ku do t’i shpenzonin paratë nga Çmimi Nobel për Paqe e që e llogarisnin si punë të kryer. Përsëri Shimi dhe Ujku, me nënën Rea Mogerini. Këto matematika ua prishi Ramushi me një ekuacion të thjeshtë dhe pa një asnjë të panjohur; nuk ka marrëveshje që rrezikon tërësinë territoriale të Kosovës. Disa veprime që merren në kohë të duhur dhe që bartin shumë rreziqe, e vulosin historinë dhe ardhmërinë. Taksa 100 për qind e Ramush Haradinajt është dhe do të mbetet vulë e përjetshme e përpjekjeve për kthim të krenarisë shtetërore dhe kombëtare. Pashmangshëm se ky veprim i siguron rritje të votave për Ramushin dhe partinë që e drejton. Ramushi e ka luajtur potezin e duhur, në kohën e duhur që do të duhej të bënte çdo politikan që është pjesë e garës politike! Dikush po e përdorë bashkimin kombëtar për qëllime politike, dikush po ia bashkon Tërrnovcin e Madh, me 35 xhami Kosovës, gjithashtu për qëllime politike. Të tjerët po kërkojnë vota nga Varri, kurse disa të tjerë gjithashtu po kërkojnë vota nga varri ku është varrosur “Heroi i Kosovës”, Pablo Eskobari. Dikush po kërkon vota nga dezertorët apo nga ata që e luftuan UÇK-në përmes një formacioni që bënte shtatë palë qejfe larg fronteve të luftës, kurse të tjerët presin vota nga një maskarallëk siç janë veteranët e rrejshëm. Po e shihni që votat po kërkohen nga ata, që në situata normale dhe në një vend normal, edhe po të votojnë për juve, nuk duhet t’i pranoni ato vota por, në kohën e ndryshkut moral dhe antivlerave, askush nuk po kërkon vota duke u thirrur në dy abetaret e lirisë dhe pavarësisë si dhe bashkimit kombëtar; të papërsëritshmit Bacë Adem Demaçi dhe legjendarit Adem Jashari.

Të gjithë kryeministra, të gjithë të parët, asnjëri ministër apo i dyti: LDK-ja po thotë se i fiton zgjedhjet e që ashtu thonë edhe LV-ja, PDK-ja, AAK-ja, Nisma, AKR-ja, Alternativa për Gjakovën, Lëmshi Euroatlantik dhe fatosët dhe pioneret e Kaçusha Jasharit. Nëse më pyetni se kush do të jetë fitues i zgjedhjeve, përgjigjen e keni të sigurt: të gjitha partitë që do të garojnë. Nëse më pyesni se cili do të jetë subjekti i dytë në këtë zgjedhje do të më zëni ngushtë sepse nuk do të keni përgjigje.

LDK-ja si fituese e zgjedhjeve nuk e lëshon postin e kryeministrit me asnjë çmim. Edhe më parë thoshte kështu në kohën kur kryeministrin e merrnin si dhuratë të Trojës për gatishmëri për bashkëpunim për “interes të shtetit dhe marrje të pushtetit”.

LV-ja, edhe po të ishin gjallë Hasan Prishtina, Ahmet Zogu, Ismail Qemali, Mehmet Shehu, por edhe pse janë gjallë Edi Rama dhe Fatos Nano, postin e kryeministrit e ka vetëm për Albin Kurtin e që, për shkak të rrethanave aktuale politike vendore dhe ndërkombëtare, paraqet sfidë sa edhe restaurimi i Trojës të cilën ende nuk e zbuluan. PDK-ja nuk ka më objekte për të lëshuar me qira, prandaj kryeministrin e ka rezervuar për Kadri Veselin. Bëhet, pse jo. Edhe unë mund të bëhem Ajatollah i Iranit, Behxhet Shab el Bajgora. Ramushin nuk ka bir apo bijë nëne në AAK që ka guxim t’ia tregojë se e do postin e kryeministrit, qoftë edhe në ëndërr. Këta të Nismës po thonë se nuk e dini se çka do të thotë posti i kryeministrit pa u bërë Fatmir Limaj kryeministër. Behgjet Pacolli e ka përkrahjen e plotë dhe të pakundërshtueshme të tërë anëtarësisë së AKR-së (tre anëtarë) për kryeministër. Aleanca për Kosovën, alias Aleanca për Gjakovën, është në pozitën më të mirë dhe më të favorshme; nga gjithsej dy anëtarë që i ka, Ilir Dedja dhe Mimoza Kusari, që të dy janë kandidatë seriozë për kryeministër të Kosovës! Shpendkeqi nga PSD-ja, po i var shpresat, tope… në një qeveri politeknike. Vetëm në atë mënyrë i arrin majat. Në atë mënyrë edhe Albini e pati promovuar, nga rrethi i tetë i FER-it, në parajsë të LV-së. Për mua mbetet i panjohur fakti e që mund të jetë vendimtar në planin global dhe kombëtar nëse Danush Ademi është kandiduar për kryeministër të Kosovës. Nëse Danushi, me tërë bagazhin politik dhe profesional që e ka, kandidohet për kryeministër, këta të tjerët mund dhe do t’i bien fyellit e disa edhe kavallit. Me Albinin kryeministër ka gjasë që disa t’i bien pianos në Kollegium Kantorum në Dubravë apo BSL në Gërdoc.

Të gjithë për zgjedhje, askush nuk i do zgjedhjet: Të gjithë u entuziazmuan për këto zgjedhje të parakohshme. LDK-ja llogarit se 100 për qind do të jetë fituese. Edhe mund të jetë. Jo pse ka punuar mirë, por se të tjerët kanë punuar keq. LDK-ja nuk është as parti unike e më së paku vendimmarrëse. LDK-ja në Kuvendin e fundit është përçarë brenda, kurse ambalazhimin e jashtëm e ka si të ishte krejtësisht e bashkuar. Në Kuvendin e fundit të LDK-së u integrua edhe pjesa e krimit të organizuar për çka i akuzonte subjektet e tjera politike. Tash LDK-ja është e ngjashme me partitë e tjera. LDK-ja nuk arriti ta nxjerrë një udhëheqje vendimmarrëse dhe vepruese, por se po e mban udhëheqjen me viagra dhe stimulues të tjerë politikë, me afat të skaduar.

LV-ja po thotë se do t’i fitojë zgjedhjet dhe se për këtë nuk e ka asnjë dyshim. Po të ishte e pandarë edhe mund t’i fitonte zgjedhjet, kështu e ndarë dhe e udhëhequr nga Akademia e Pleqve të Mençur të LPK-së, e ka vështirë t’i fitojë zgjedhjet, prandaj po shtrihet në shtratin e LDK-së, për kursin e Kasutras politike. Me LDK-në e kanë një joshje sistematike, tundim të çastit për formim të koalicionit, por kjo dashuri midis dy partnerëve – që kurrë nuk janë dashur – ka mungesë të theksuar pasioni. Nuk ka fare pasion. Nuk funksionon fare kimia midis LV-së dhe LDK-së përveç gazit lotsjellës.

PDK-ja pati rënë fort dhe u gjet në situatë që askush nuk e do, madje as edhe për një përdorim të vetëm. Prandaj është detyruar të shkojë e vetme në zgjedhje e që besoj se do të jetë më e mirë për këndellje politike apo të marrë dëshminë për vdekje definitive, si subjekt politik. Për faktin se PDK-ja po insiston në zgjedhje të parakohshme tregon se e ka një siguri ndryshe, me të gjitha mjetet e lejuara (Hashim Thaçin) dhe të gjitha mjetet e palejuara (Hashim Thaçin) do t’i pengonte zgjedhjet e parakohshme. Dhe sigurisht se do t’ia dilte t’i pengojë këto zgjedhje.

AAK-ja nuk besoj se do të fitojë në këto zgjedhje, por jam i sigurt se do të fluturojë shumë lart, më lart se çdoherë tjetër.

Jam i sigurt se do të kemi shpërndarje të madhe të votave dhe se dallimi midis të parit dhe të parit (nuk ka parti të dytë) do të jetë e ngushtë. Koalicionet parazgjedhore të subjekteve të mëdha do ta dhunojnë demokracinë, koalicionet e partive të vogla i japin sharmë demokracisë. Askujt nuk do t’i dalin llogaritë ashtu si u thotë kalkulatori i tyre, do të ketë shumë zhgënjime. Por, diçka jam i sigurt: kushdo që fiton në këto zgjedhje, ndryshimet dhe përparimet do të jenë të papërfillshme. Personalisht do ta përkrah çdo qeveri, çdo parti, çdo koalicion që do të vendosë rend dhe rregull edhe nëse nuk pajtohem me ata. Të shohim më vonë si do të zhvillohen ngjarjet e pastaj vazhdojmë. Me këtë ia dëshmova mikut tim se nuk kam mungesë guximi, se jam trim ndonëse thuhet, me të drejtë, se nuk ka trima të mençur, por vetëm trim budalla!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Charles Leclerc është piloti i së ardhmes te Ferrari. 21-vjeçari…