Të paktën…vetëm një lule mbi varrin e Ismail Qemalit!

15 janar 2019 | 12:09

Ylli Mece

Nuk do të dëshiroja që në këtë 100-vjetor të vdekjes, të ndalesha në historiografinë e njërit prej figurave më të shquara të popullit tonë, Ismail Qemalit, i cili njihet edhe si “Babai i Kombit”. Kjo për faktin se për të, jo vetëm që është shkruar shumë, por është interesant të theksohet se të gjitha formacionet që ka kaluar Shqipëria, që nga ai i Mbretërisë zogolliane, socializmit të Enver Hoxhës e deri te hierarkët e sotëm i janë përulur me respekt. Natyrisht dikush prej tyre mbase dhe për konsum publik, për tu hequr se e do Shqipërinë dhe se zemra u digjet flakë e zjarr për Mëmëdhenë.

Vlera e aktit të ngritjes së Flamurit me 1912 dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë prej Ismail Qemalit dhe atdhetarët e tjerë nga të gjitha trojet tona përbën gurin më të fortë të themeleve të lindjes së shtetit të parë e të pavarur shqiptar ëndërr kjo shekullore e këtij populli.

Nisur nga ky këndvështrim, vepra e tij merr një rëndësi të jashtëzakonshme dhe me përmasa epokale që do të trashëgohen brez pas brezi. Ndonjëherë ndodh që Ismail Qemali merret i shkëputur apo thjeshtë si një burrë shteti guximtar i cili vendosi të kryente këtë akt madhor. Nëse do të mendohej kështu ,do të ish e gabuar. Jo Ismail Qemal Vlora ishte produkt historik i gjithë atyre etapave nëpër të cilat kaloi populli shqiptar që nga flakadani i dijeve që ndezën Rilindësit, e që u pasuan më vonë dhe me Lidhjen e Prizrenit, Kongresin e Manastirit, kryengritjet e Shqipërisë së jugut e veçanërisht ato të viteve 1908-1911 të Shqipërisë së Veriut. Kjo në planin e brendshëm. Ndërsa në planin jashtëm Turqia e lodhur e sfilitur dhe e sëmurë rëndë matanë Bosforit, kalonte ethet dhe tashmë ish aq e dobët, saqë mendonte më shumë “për shpirtin e saj”. Turqia po lëngonte midis dëshirës për të qenë ende perandori dhe pamundësisë së vazhdimit të mëtejshëm të ëndrrës së saj që po e torturonte vazhdimisht e më shumë.

Atë ditë historike mbase dhe e ekzagjeroj por do të ngelet tejet emocionuese detyra që Plaku i Urtë i Vlorës dhe i gjithë Shqipërisë do ti drejtohej telegrafistit Faik Kreshpa:
“Merre këtë njoftim bir dhe trasmentoja të gjithë qeverive të Evropës dhe Rusisë se Shqipëria nga sot e tutje shpallet shtet më vete, i lirë dhe i pavarur” !

Shpallja e Pavarësisë nga Plaku i Vlorës ishte një ndër aktet më madhore politiko shoqërore të gjithë veprimtarisë së tij prej atdhetari , sepse:

Së pari – Do kurorëzonte me sukses të plotë të gjitha përpjekjet tona shekullore që mbas vdekjes së Skënderbeut, për të pasur një vend sovran të lirë e të pavarur.

Së dyti – Krijimi i shtetit të ri e të pavarur u bë një realitet historik i pashmangshëm që lidhej ngushtë me ekzistencën e një populli që do të kish një tërësi territoriale të vetën, kulturën gjuhën doket e zakonet e tij, karakteristika këto të identitetit kombëtar për çdo komb.

Së treti – Edhe pse ky shtet i sapo formuar me pavarësinë e tij që vinte nga përpjekjet luftarake, do të përballej me orekset e reja të fqinjëve dhe perandorive të tjera evropiane të cilat te shkëputja nga Turqia shikonin mundësitë e ricopëtimit, në këtë kontekst kërkonte nga burrat dhe atdhetarët të mos i lëshonin armët nga duart për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e brishtë të këtij vendi buzë Adriatikut.

Konferenca e Ambasadorëve të Londrës cila u mor direkt me çështjen shqiptare, në vend që të punonte për forcimin e shtetit të ri, ajo legjitimoi aktin më të turpshëm atë të copëtimit të Shqipërisë, teksa shqiptarët ëndërronin bashkimin gjithë trojeve të tyre në një të vetme.

Duke e njohur shpirtin e shqiptarëve por edhe idetë që përfaqësonte e mbronte I.Qemali, ato (fuqitë e mëdha evropiane) konstruktuan skena e prapaskena të tilla që e detyruan plakun e urtë shqiptar të jepte dorëheqjen e vet dhe çuditërisht dorëheqja e tij me 24 Janar 1914…do përkonte po me 24 janarin 1919-s ku ai do të jepte njëherë e përgjithmonë dorëheqjen e lamtumirës nga jeta tij. Ligësitë e tyre do të shkonin deri në atë pikë saqë për ta hequr qafe atë, bënë çmos në bashkëpunim dhe me disa bejlerë e agallarë vendas ta implikonin atë me “komplotin e Beqir Grebenesë” dorëheqje kjo që do të thoshte, se Shqipëria do ti kalonte një Komisioni Ndërkombëtar, i cili do të vëzhgonte, kontrollonte dhe mbikëqyrte shtetin e ri e të brishtë shqiptar. Shkurt edhe pse I.Qemali dhe I.Boletini kishin ndërmarrë një vit më parë udhëtimin drejt Londrës për të njohur dhe bërë të ditur dëshirën e shqiptarëve, shteti më i ri i sapo formuar në Evropë do të bëhej objekt lakmie dhe qënkish mallkuar ta copëtonin.

Me gjithë dorëheqjen që bëri I.Qemali, ai për asnjë çast nuk hoqi dorë nga Çështja Kombëtare dhe këtë e dëshmon jeta e tij të cilën ai e vuri në shërbim të Shqipërisë. Që prej asaj date kur ai dha dorëheqjen nisi rrugëtimet nëpër Evropë me qëllim që të sensibilizonte opinionin dhe të bënte të njohur çështjen shqiptare. Ai në rolin e një diplomati të pa epur e kish shumë të qartë se vendit po i kanoseshin të tjera rreziqe, rreziqe këto, që ishin jo vetëm vazhdimësi e orekseve aneksioniste të fqinjëve, por situata të tilla i përgatitnin edhe bejlerë e agallarë vendas ,të cilët kush mbante anën e Serbisë, kush të Greqisë e kush të Malit të zi apo dhe deri të Bullgarisë. Rrugëtimet e tij drejt Londrës, Romës Parisit, Madridit etj, janë një dëshmi e qartë e intuitës së tij politike, për interesat që paraqitnin fuqitë e mëdha jo për të zgjidhur drejt çështjen shqiptare, por për ta përdorur atë për ruajtjen e ekuilibrave në interes të vet. Për rrezikun që i kanosej pavarësisë së vendit, që në vitin 1915, në gazetën franceze “Le Matin” ai fliste se Shqipëria, e cila që në vitin 1913 ishte një shtet më vete, e kishte humbur pavarësinë sepse “u shtrëngua nga të gjitha anët prej serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve” .

Natyrisht në kushte të tilla ai besonte se “Protektoriati italian” do ti parandalonte këto synime, duke ruajtur autonominë e vendit ,por që as nuk do ti shkonte kurrë ndër mend se ishin pikërisht italianët ata që nën maskën e protektoriatit ishin bërë pjesë e lojërave të ndyra me traktate të fshehta si ai i Londrës (i dyti – më 1915 Anglia – Franca – Rusia – Italia, por më 1918 Rusia ishte tërhequr për shkak të Revolucionit dhe i kish anuluar të gjitha marrëveshjet e kohës së Carit) i cili nuk u bë publik në atë kohë por 3-4 vite më vonë, por u mbajt i fshehtë. Në këtë traktat ata angazhoheshin se nëse do e fitonin luftën (e parë botërore) do të kënaqnin edhe shtetet e Ballkanit duke copëtuar Shqipërinë. Por nuk do të ndodhte ashtu .Edhe pse ne dhjetor te vitit 1918 Plaku i Vlorës u nis për në Romë (që nuk arriti kurrë) për t’i kërkuar Qeverisë italiane përkrahjen e plotë të saj pa pasur statusin” e vendit protektoriat” mbi Shqipërinë, por ta ndihmojë atë pa interes dhe që populli shqiptar do ti ishte mirënjohës për jetë…… Por ja që nuk do të ndodhët ashtu. Kryeministri italian Orlando jo vetëm që nuk e priti, por ai iu shmang nga që tashmë I.Qmali i kishte kuptuar qëllimet aneksioniste dhe të vet “miqve italianë”. Në pritje gati një muaj në Itali ai në prag të një konference shtypi për çështjen shqiptare do të përpëlitej i helmuar në një hollë të hotelit “Burton” të Peruggias.

Ajo që i nxjerr krejtësisht të implikuar autoritetet italiane në këtë akt kriminal është fakti se ata ( në atë kohë Vlora ishte e pushtuar nga Italia) nuk dëshironin qe trupi i tij të përcillej me flamurin kombëtar edhe në qytetin e Vlorës që ish pikërisht qyteti i ngritjes së tij.

Do të ish kryetari i Bashkisë së këtij qyteti, Ali Asllani i cili nuk do ta zbatonte këtë urdhër por do ta mbështillte Patriotin e madh me Flamurin e madh Kombëtar ashtu sikurse e kërkonte jo vetëm dinjiteti i tij por i gjithë popullit.

Ismail Qemali nuk u vu kot në krye të lëvizjes më të vështirë dhe më madhore ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Nëse ai nuk do të njihte mirë jo vetëm diplomacinë, aktet themeltare ndërkombëtare mbi kombet dhe popujt, jo vetëm historinë e zhvillimit të popujve ballkanik dhe atij evropian, por dhe koniunkturën dhe artin e madh të të bërit diplomaci, çështja shqiptare nuk do të njihej në përmasat që i dha ky burrë shteti.

Ai sakrifikoi shumë dhe përveç plagëve të atdheut të Tij që mori me vete një vit para se të vdiste, u nda nga jeta dhe e shoqja e tij grekja e bukur Kleoniqi Surmelinë Madrid të Spanjës duke marrë kështu plagë mbas plage që shoqëruan deri në lulishten e Vlorës ku prehen eshtrt e tij dhe sot.

Po Kleoniqi? Ajo ndodhet në Madrid të Spanjës. Gruaja e të parit kryeministër ngelet larg si një emigrante pa atdhe, e braktisur nën erozionin e kohës dhe të politikës. Asaj politike e cila nuk e ka për gjë të rehabilitojë kriminelë e tradhtarë me damkë, të vendosi me dekrete emra rrugësh e institucionesh të atyre që u arratisën e morën rrugën e tradhtisë kombëtare.

Koha ka paradokset e veta. Ndodh që burra të pa epur e krenarë deri në sakrifica ekstreme japin dhe jetën për ruajtjen e tërësisë dhe moscopëtimin e Atdheut, teksa të tjerë mundohen ta shesin atë.

Jo..jo nuk është rastësi që heshtet për homazhet e këtij plaku. Nëse do të kish dekoratë të lartë që simbolizon atdhedashurinë ajo pa dyshim do të quhej “Medalja I.Qemali”. Kjo nuk është bërë dhe mesa duket as ka për tu bërë…por të paktën me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së tij Paria e vendit të harrojnë një ditë fitimet e tyre dhe le ta vendosin një.. dhe vetëm nj lule në varrin e Ismail Qmalit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Eros Grezda do të mungoj…