Të shkruash për gazetën

02 janar 2020 | 12:13

Gazeta mund të bëhet artikuluese e idealeve të elitave, me fokus edhe te vlerat kombëtare, intelektuale dhe morale. Kjo është detyrë urgjente e gazetave në vendin tonë. Pse urgjente?

Milazim KRASNIQI

Fillimisht u çudita nga ftesa e Malit i cili po më kërkonte të shkruaja një tekst për numrin festiv të gazetës ditore “Epoka e re”. U çudita sepse kur të bëhet një ftesë që të shkruash në gazetë ditore, kjo ftesë e ka brenda vetes një element solemniteti dhe respekti për autorin. Në natyrën e gazetës është përzgjedhja e autorëve sipas një koncepti të fiksuar editorial. Gazeta nuk mund të funksionojë sipas sistemit të kontejnerit, ku hidhen gjërat kuturu, kush çka ka për të hedhur, pa i marrë leje askujt. Me sistemin e kontejnerit funksionojnë mediet e reja, portalet dhe mediet sociale por, gazeta jo. Prandaj, në mediet e reja nuk ka solemnitet, nuk ka kurrfarë respekti për autorët. Në mediet e reja të gjithë janë të barabartë, (përveç pronarëve, të cilët në mënyrë orveliane janë më të barabartë sesa të tjerët). Bile shumica e portaleve i fshehin emrat e autorëve, madje edhe të gazetarëve të vet, duke ua eksploatuar punën, pa ua dhënë kompensimin intelektual, me anën e afirmimit të autorësisë. Ndërsa, në gazetë autori është mbret. Emri i tij shkruhet me germa bold, zakonisht në krye të tekstit, ngatë titullit, i cili, sipas teoricienëve të gazetarisë, merr mbi 60 për qind të vëmendjes së lexuesit.

Po pse u çudita nga ftesa e Malit? U çudita sepse e kuptova që gjatë tërë këtij viti kam shkruar vetëm pak tekste për gazeta, pra vetëm pak e kam shijuar solemnitetin e shkrimit dhe vetëm pak e kam gëzuar respektin si autor. Nëse nuk i numëroj tekstet që kam shkruar çdo muaj për revistën “Shenja”, rezultati do të më dilte shumë më dëshpërues. Për deri sa në portale dhe veçmas në “Facebook” e në “Twitter” kam shkruar me qindra tekste, në gazeta mund të numërohen në gishtat e njërës dorë. Ndaj: ujdia m’u shndërrua shpejt në dëshpërim, duke e ditur se atdheu i vërtetë i gazetarisë është vetëm gazeta. Në mediet e tjera gazetaria është më shumë refugjate, që pret gjithnjë përmirësimin e statusit, por pa shpresë se ai përmirësim do t’i ndodhë. Fjala vjen, në televizion teksti gazetar ekslipsohet nga imazhi, në radio nga të folurit, në portale nga titulli sensacional dhe nga reklamat që lëvrijnë nëpër tekst si krimba, në rrjete sociale nga rrethimi i tekstit me ledhe banalitetesh nga të katër anët.

Dëshpërimi më bëhet edhe më i madh kur e mendoj gjendjen e gazetave në shtetin tonë. Nëse atdheu i vërtetë i gazetarisë është gazeta, atëherë atdheu i gazetave tona, Kosova jonë e dashur, është një atdhe i pamëshirshëm ndaj gazetave, si ato nënat që i braktisin foshnjat e veta. Fatkeqësisht, vendi/shteti ynë që nga; lirimi ka përdorë një taktikë armiqësore ndaj gazetave ditore. Menjëherë pas çlirimit të vendit, gazetave u është imponua me disa rregullore të UNMIK-ut një kufizim rigoroz neokolonialist. U ndalua që gazetat të shkruanin për kriminelët serbë, (për arsye u mbyll gazeta “Dita”) u ndalua të hulumtohej keqadministrimi i prezencës civile ndërkombëtare, u bë e rrezikshme të raportohej mbi veprimtaritë kriminale të bandave që po uzurponin jo vetëm objekte, po edhe lirinë. Gazetave iu hoq edhe e drejta që të ishin medie shqiptare. Gazetave iu imponua që reklamat t’i botonin edhe serbisht, gjë që nuk ishte bërë nga gazeta ditore “Rilindja” as në kohën e Rankoviqit. Prandaj, gazetat mund të ishin shqipfolëse/shqipshkruese, në shërbim të prezencës ndërkombëtare, të njerëzve të fortë të politikës, të biznesit e të nëntokës, por jo të idealeve dhe të vlerave kombëtare shqiptare. Disa gazeta u ndërsyen kundër luftës çlirimtare, disa u ndërsyen kundër lëvizjes paqësore, ndonjë tjetër u ndërsye kundër intelektualëve, disa kundër myslimanëve, të tjera kundër historisë kombëtare. Siç më pati thënë me një ton të hidhur Dritëro Agolli në vitin 1992, gazeta mori rolin e kobures. Tabela e qitjes së saj u bë shqiptarësia.

Por, gazeta nuk po sfidohej vetëm nga presioni i prezencës ndërkombëtare dhe politikës agresive provinciale. Ajo po sfidohej edhe nga teknologjia, e cila gjeti partnerë më servilë në gazetari bërje. Nga ana tjetër, ajo që është më e dhimbshmja, lexuesi i gazetës mund të konsiderohet si tradhtar dhe i pabesë. Për 40-50 cent, lexuesi e braktisi gazetën, siç e braktisë një aventurier i shfrenuar, një vajzë të pafajshme e të papërvojë.

Me gjithë mbrapshtitë politike, pandjeshmëritë teknologjike dhe tradhtinë e lexuesve, disa gazeta ditore, ndër to edhe “Epoka e re”, ende dalin në treg çdo mëngjes. Dalin të varfra dhe duken të vetmuara, si dikush që mbetet në një tavolinë dasme i vetmuar, pasi të gjithë të tjerët janë ngritur në një valle të çakërdisur, ndonëse valltarëve të dehur u duket valle e hareshme. Vetmia  e gazetave tona ditore është si vetmia dhe braktisja e kolonelit të Markesit.

Për vete ende i blej dy gazeta, njërën prej tyre “Epokën e re”, për diskutime me studentët e vitit të parë në lëndën Hyrje në gazetari. Vërtet ende mendoj se mësimet fillestare mbi profesionin e gazetarisë ende më së miri merren nga analiza e raportimit të gazetave. Në ligjëratën e parë, me ndjenjë humori sigurisht, i ngre para studentëve gazetat dhe i pyes: “A e dini çka janë këto?”, për t’ua krijuar një ndjenjë më miqësore ndaj gazetave.

Por, kultivimi i dashurisë ndaj gazetave te të rinjtë është mision i vështirë, meqë tashmë mediume dominuese janë bërë telefoni dhe kompjuteri, që ofrojnë gazetari falas dhe pothuajse në kohë reale. Sado që të ofrojnë gazetari të keqe, e ofrojnë falas dhe shpejt. Ndaj, mediet e  reja nuk mund të konkurrohen nga gazeta.

Ç’duhet të bëhet? Kjo do të thotë që gazetat duhet të ndryshojnë: nuk duhet të ndjekin lajmin e raportin, por duhet të fokusohen në zhanre të tjera, në komente dhe analiza për ngjarjet, në intervista atraktive dhe ekskluzive, në reportazhe, në udhëpërshkrime dhe në tekste pikante të marra nga agjencitë globale të lajmeve. Edhe temat politike lokale duhet t’i minimizojnë, ndërsa duhet të rrisin temat nga fusha kombëtare, evokime ngjarjesh nga historia, tekste letrare me vlera artistike të larta, të reja nga shkenca, trajtime të problemeve të arsimit, integrimit, besimeve fetare, globalizimit. Me një kësi riorientimi, gazetat do të mund të rikthenin shkëlqimin dhe ndikimin, sigurisht jo te eshalonet e analfabetëve funksionalë, por te një pjesë e elitave dhe te rinia studentore. Gazeta mund të bëhet artikuluese e idealeve të elitave, me fokus edhe te vlerat tona kombëtare, intelektuale e morale. Kjo është detyrë urgjente e gazetave në vendin tonë. Pse urgjente? Sepse momentalisht, pra edhe me rastin e kalimit nga viti 2019 në vitin 2020, ne e kemi gjendjen e mendimit në krizë alarmante. Ja prospekti shqetësues: anarkistët duan qeveri pa shtet,duan komb shqiptar pa Kosovë. Ndërkombëtarët  dhe Serbia duan Kosovë pa shqiptarë. Islamofobët duan Kosovë pa myslimanë. Selefistët duan Islam pa kulturë kombëtare. Si qershia mbi tortë,keqbërësit e politikës duan shtet pa gazeta. Prandaj gazetat duhet të rezistojnë. Nëse rezistojnë dhe nëse marrin këso këshillash dashamirëse, gazetat mund të ribëhen nga hiri i vet, si feniksi.

Për mua, gjërat mbeten të qarta: të shkruash për gazetën, mbetet kënaqësi intelektuale e veçantë. Ndihem si i ftuar në dasmë. Dhe i respektuar si krushk. Mal, të falënderoj për ftesën dhe mundësinë!

Shkruar enkas për “Epokën e re”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Lufta e popullit shqiptar në ish-jugosllavi në përgjithësi…