Kujtime, shkrime dhe tregime, për ish tribunin e Malësisë së Gjakovës, patriotin, partizanin, deputetin dhe themeluesin e qytetit të Bajram Currit, MEHMET RAMË DOLLAPI
Kujtime, shkrime dhe tregime, për ish tribunin e Malësisë së Gjakovës, patriotin, partizanin, komisarin, komandantin, kryetarin, deputetin dhe themeluesin e qytetit të Bajram Currit, MEHMET RAMË DOLLAPI.

Bajram Neza
(16.2.1934-17.12. 2019)
Ish Kryetar i Komitetit Ekzekutiv KP Rrethit Tropojë e Gramsh.
Mehmet Ramë Dollapi është padyshim një nga figurat më të shquara të Malësisë së Gjakovës. Ai rrjedh nga një familje tepër fisnike dhe e respektuar e rrethit të Tropojës, me tradita të larta bujarie, besnikërie, patriotike e luftarake. Një nga të parët e Mehmet Ramës, i quajtur Azem Hoxha Dollapi, ka qenë mjaft i njohur për zgjuarsinë, atdhedashurinë dhe kontributin e tij që ka dhënë gjatë luftërave të vazhdueshme të Popullit Shqiptar kundër regjimit okupator osman për Pavarësinë e Shqipërisë.
I edukuar në familjen e tij me ndjenja të veçanta atdhetare dhe i frymëzuar nga patriotët e shquar tropojan, Mehmet Rama gjatë gjithë jetës së tij dha një kontribut shumë të madh për popullin e krahinës tonë, por dhe më gjerë në rrafshin kombëtar.
Njerëz të ndryshëm tregojnë se qysh në fëmijëri, gjatë atyre kohëve tejet të vështira, ai ishte mjaft i interesuar pas mësimeve dhe plot pasion për të marr sa më shumë dije e njohuri, duke vazhduar me sukses udhën e mundimshme të diturisë, për tu bërë një intelektual i zoti, ashtu si edhe paraardhësit e vet.
Kështu ai pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje, vazhdoi Internatin e Krumës dhe më vonë kreu edhe Medresenë e Tiranës me rezultate të larta. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste më 7 prill 1939 e gjeti Mehmet Ramën student në Tiranë. Ai e priti me indinjatë e urrejtje të madhe aktin e turpshëm të ushtrisë vrastare të Musolinit dhe si një patriot i zjarrtë u lidhë shpejt me grupe të ndryshme antifashiste që vepronin e luftonin në Tiranë, duke zhvilluar një aktivitet të dendur politik kundër okupatorëve italian. Menjëherë pas përfundimin e shkollës, Mehmet Rama u kthye pranë vendlindjes se vet në Malësinë e Gjakovës dhe së bashku me familjen e tij atdhetare, rrokën armët në dorë dhe u lidhën ngushtë me lëvizjen Nacionalçlirimtare. Si kuadër drejtues i kësaj lëvizje, ai mori pjesë direkt në mjaft beteja duke mos kursyer asgjë dhe luajti një rol tepër të rëndësishëm për organizimin e Popullit të Tropojës në luftë kundër fashizmit deri në çlirimin e vendit, por edhe më vonë.

Mehmet Rama
(. Tetor-1916-09 Janar 1995)
Bajram Neza
(16 Shkurt 1934-17 Dhjetor 2019)
Edhe pas çlirimit të vendit si kuadër drejtues i zgjedhur në shumë detyra të larta partie dhe shtetërore, Mehmet Rama punoi me
vetëmohim në disa rrethe të Shqipërisë së Veriut për rindërtimin dhe ndërtimin e vendit që doli i djegur dhe shkatërruar nga lufta.
Po kështu edhe gjatë kësaj periudhe ai krahas kryerjes së detyrave që mbulonte, nuk i ndali kurrë për asnjë çast as përpjekjet për ngritjen e nivelit të tij arsimor, duke u pajisur me dije të thella shkencore, kulturë të gjerë, edukatë të lartë qytetare dhe njohuri të nevojshme, që i kërkonte koha dhe funksioni si një lider masash. Me vullnet të pashoq dhe pasion të
admirueshëm ky tribun popullor kreu një sërë kursesh një e dy vjeçare, si brenda por edhe jashtë shtetit(Budapest-Hungari) si dhe Shkollën e Lartë të Partisë(tre vjeçare) në Tiranë, të cilat e bënë atë edhe një intelektual të shquar në Malësinë e Gjakovës, që zotëronte edhe disa gjuhë të huaja si anglisht, arabisht e tjerë.
Mehmet Rama, ky burrë i urtë dhe i zgjuar i Tropojës, gjithë jetën e tij është karakterizuar nga modestia e thjeshtësia dhe për atë kanë qenë të huaja e të pa pranueshme uni, mburrjet, dhe lëvdatat personale. që përdoreshin nga kuadro e drejtues të ndryshëm gjatë kryerjes së detyrave të tyre. Më kujtohet një rast kur ishim në Këlcyrë, në përkujtim të krijimit të Çetës së Parë Partizane të Malësisë së Gjakovës unë i thashë Mehmetit:
“…Shoku Mehmet, ju nuk po na tregoni asnjëherë episode nga veprimtaria dhe aktiviteti juaj gjatë luftës në Tropojë…”?
Ai mu përgjigj menjëherë duke më thënë:
“…Edhe unë kam qenë si gjithë të tjerët…populli i Malësisë tonë ka qenë gjithmonë patriot dhe ka luftuar shumë dhe me heroizëm të rrallë kundër çdo lloj pushtuesi…në çdo luftë kundër armiqve ai ka sakrifikuar mjaft jetë njerëzish, pasurinë e çdo gjë dhe veçanërisht kundër serbëve e malazezëve, por edhe ndaj nazifashistëve italo-gjerman…”.
Po-po i thashë shoku Mehmet, por ju gjithmonë flisni në mënyrë të përgjithshme, shumë rrallë në të përveçmen dhe asnjëherë për veten tuaj, dhe Mehmeti mu përgjigj:
“…po ky është realitet shoku Bajram…”.
Të gjithë të pranishmit qeshën me të madhe, pasi ata e njihnin mjaft mirë Mehmet Ramën, drejtuesin e tyre mbarë popullor që nuk i pëlqenin aspak lëvdatat dhe mburrjet siç bënin disa kuadro të tjerë mburravec.
Raste të tilla si ky i imi me Mehmet Ramën, këtë figurë të shquar popullore të Tropojës, kanë pasur me dhjetëra e qindra shok të tjerë që kanë punuar së bashku me të, të cilët kur i kanë kërkuar të fliste diçka për veprën dhe kontributin e tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, përgjigja “edhe unë si gjithë të tjerët, për popullin secili prej nesh duhet të bëj më shumë”, nga ai ka qenë tepër e shkurtër dhe e prerë.
Siç dihet nga të gjithë, në verën e vitit 1944, në fshatin Valbonë e bë një mbledhje ku morën pjesë të gjithë drejtuesit e luftës në rrethin e Tropojës . Në këtë mbledhje u formua edhe Shtabi Operativ i Malësisë së Gjakovës ku komandant u zgjodh Veli Niman Doçi dhe komisar Beqir Ndou, sepse malësorët patën kërkuar që të kishin shtabin e tyre. Anëtar të këtij shtabi u zgjodhën edhe Mehmet Mulosmani, Mehmet Ramë Dollapi, Din Bajraktari e të tjerë. Me çlirimin e Malësisë më 16 tetor 1944, Sekretar i parë i frontit u caktua Beqir Ndou, Sekretar i dytë Veli Deva për pak kohë dhe pas tij Abaz Shehu, ndërsa Mehmet Rama u caktua Komisar i Komandës së Vendit dhe përgjegjës për punët e partisë për Gash e Krasniqe.
I citoj këto të dhëna për të nxjerrë në dukje kontributin e madh të Mehmet Ramës gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, por edhe mbas çlirimit të vendit nga okupatorët gjerman.
Nuk mund të le këtu pa përmendur edhe mendimet, respektin dhe vlerësimet e ish Sekretarit të parë të Tropojës Izet Dyrmishi, që kishte punuar disa vjet në rrethin tonë (1959-1964), i cili për Mehmet Ramën thoshte vazhdimisht fjalët më të mira dhe konkretisht:
“…kur kam punuar unë në Tropojë, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP rrethit ishte Mehmet Rama, njeriu dhe kuadri më i respektuar i Tropojës, deputet i shumë legjislaturave, delegat i të gjitha Kongreseve të PPSH, që njihet si njeri tepër i drejtë dhe i ndershëm …”.
Që në fillim të këtij shkrimi unë fola për familjen e Mehmetit, ku ndër të tjera Qazim Man Mustafaj në librin e tij “Nektar” shkruan:
“… Azem Hoxha Dollapi ka jetuar deri nga mesi i shekullit që kaloi. Shumë njerëz me kanë folur për këtë njeri, por për fat të keq shumë pak kam mundur të grumbulloj fakte nga thesari i artë i këtij burri të mençur dhe të urtë…”.
Azemi rridhte nga një familje bujare dhe me tradita të mëdha patriotike në fshatin Koçanaj-Tropojë, nga e cila kanë dalë burra të shquar dhe me zë e famë në të gjithë Malësinë e Gjakovës, Kosovë e më gjerë.
Ai ishte mik edhe shok besnik i heronjve tanë të kombit si Sulejman Vokshi, Ymer Prizreni, Bajram Curri, Hasan Prishtina e tjerë dhe bazë e sigurte e përhershme e tyre.
Në dollapët e kullës së bacit Azem Hoxha u strehua prej tij, për javë të tëra edhe kryetrimi ynë i Mitrovicës me dy alltia Isa Buletini gjatë kohëve tepër të vështira kur ndiqej nga ushtritë gjakatare serbe e malazeze. Për këtë akt heroik që kreu ky patriot i shquar tropojan, Populli i Malësisë së Gjakovës ja ndryshoi edhe mbiemrin, duke e quajtur edhe Azem Dollapi, mbiemër të cilin e mbajnë me krenari edhe sot pasardhësit e këtij fisi tepër të dëgjuar në këto treva.

Mehmet Ramë Dollapi
(Tetor 1916-9 Janar 1995).
Patriot, partizan, komisar, komandant, kryetar, themelues i qytetit Bajram Curri dhe deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë.
Mehmeti një ditë kur shkuam në fshatin Breg Lumi (Rajë) dhe u takuam me popullin, pasi kishim parë rikonstruksionin e shkollës së fshatit dhe duke u kthyer për në Bajram Curri ai më tha:
“…shoku Bajram kam mendimin se ne nuk i njohim sa duhet njerëzit dhe veçanërisht kuadrot…ne e pamë shkollën sa mirë ishte rregulluar…ju e dini se unë jam marrë shumë kohë me ndreqjen e saj, por punën kryesore e ka bërë ushtaraku Avdyl Lumnica me Qendrën e Arsimit si dhe drejtori i shkollës Pal Kokrri…më vjen keq për këta dy djem, që nuk i kam njohur më parë aftësitë e tyre si kuadro, por mendojmë se kemi dhjetëra djem e vajza që kanë aftësi dhe ndërgjegje të pastër, për të kryer detyra me përgjegjësi të lartë …them se njerëzit pa i provuar nuk mund ti njohim mirë, se nga njëherë vepron edhe ana subjektive, prandaj duhet punë me njerëzit më tha… unë i vlerësoj tepër këta dy djem për punën e tyre”.
E përmenda këtë bisedë për të kuptuar sesa i interesuar ishte ai për ti njohur njerëzit, por edhe për ti vlerësuar ata sipas meritave që kishin, duke ju dhënë edhe përgjegjësitë që u takonin.
Në librin e tij “Nektar” Qazim Mustafaj thekson se e kishte ndjerë për detyrë që të trajtonte disa të dhëna që kishte mundur të grumbullonte nga viti 1956 deri në vitin 1960 kur punoi në Tropojë. Në këtë libër ai na jep mjaft episode të mbledhur nga njerëz të ndryshëm në Tropojë, Has, Gjakovë, Pukë e tjerë, që flasin për zgjuarsinë bujarinë dhe patriotizmin e familjes Dollapi në përgjithësi e në veçanti për Azem Hoxhën.
Unë po citoj një nga më të njohurat në Malësinë e Gjakovës dhe nga më të përmendurat në ato kohëra, bile edhe sot, e cila titullohet “Rroga e Premtuar” që ka këtë përmbajtje:
“…kur erdhi në fuqi Ahmet Zogu me ndihmën e Serbisë, ai planifikoi që të gjithë familjeve të njohura, njerëzve të mençur që ishin me zë e tjerë, t’ju jepte ndonjë gradë dhe tu lidhte nga një rrogë të majme, duke qëndruar në shtëpitë e tyre. Me këto shpërblime Zogu synonte të nënshtronte vendin. Në Tropojë u dhanë rreth tridhjetë rroga të tilla…”.
Mbreti kishte thirr edhe Azem Hoxhë Dollapin, për ti lidhur një rrogë të till, i cili i kishte thënë këtij:
“…Ne kemi menduar për t’ju lidhur ju një rrogë të vogël zoti Azem sa për të jetuar…”?
Azem Hoxha kishte tundur lehtë kokën dhe si me të qeshur i ishte përgjigjur mbretit:
“… Eh more naltmadhëni, sikur ta dij Murra (lopa që mbahet për tu therur), pse ja japin ballgurin(ushqimin), ajo nuk do ta vinte në gojë
kurrë…”.
Me këto fjalë plot mençuri, zgjuarsi dhe filozofi popullore, që i tha ky burrë i shquar mbretit, ai la të kuptohej qartë se nuk i pranonte paratë e Zogut, duke u ndarë kështu përfundimisht me atë.
Siç dihet nga malësorët e Tropojës, një pjesë e mirë e atyre njerëzve që i pranuan dhe hëngrën rrogat e Zogut, në njërën mënyrë, apo në tjetrën u likuiduan fizikisht nga ai regjim gjakatar që dirigjohej nga vet Ahmet Zogu.
Familjen Dollapi edhe unë e njoh mirë, pasi ajo ka nxjerr vazhdimisht burra të zgjuar, trima e patriot si Ali Hoxha, Ramiz Hoxha, Syl Osmani, Sali Rama e shumë të tjerë në ballë me birin e shquar të Malësisë së Gjakovës Mehmet Ramë Dollapi. Në vazhdim të këtij shkrimi, unë dua të përmend se si u njoha me Mehmet Ramën dhe cilat janë përshtypjet e mia për atë njeri të mrekullueshëm, që punuam sëbashku për një kohë të gjatë. Qysh në moshë të vogël, në vitet e para të çlirimit e kisha dëgjuar shpesh emrin e tij, pasi të gjithë njerëzit e krahinës tonë flisnin fjalët më të mira për këtë kuadër kryesor të rrethit tonë. Gjatë kësaj kohë unë isha i vogël dhe nuk dija ti vlerësoja njerëzit dhe kuadrot tanë drejtues, pasi edhe mjetet e informimit publik si gazetat, radiot, televizioni na mungonin.
Po kujtoj momentin kur e kam takuar dhe bisedova për herë të parë me Mehmet Ramën, këtë burrë të urtë që drejtonte rrethin tonë. Isha student në vitin e parë të Institutit Politeknik në Tiranë. Atë muaj vere sapo kisha përfunduar mësimet dhe dola për të shëtitur rrugëve të Tiranës së bashku me Isa Mulosmanin. Krejt papritur Isai më tha:
“…Bajram më duket se qenka Idriz Mulosmani ulur në lulishte me disa shok të tij, a po shkojmë ti takojmë…?
Po i thashë Isait. Me Idrizin isha takuar edhe herë të tjera. Në këtë kohët Mehmet Rama ishte Sekretar i I-rë KP të Tropojës, kurse Idrizi qe Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit.
Sëbashku shkuam e i takuam të dy këta kuadro të nderuar, dhe si të rinjë, ne ishim tepër të emicionuar, por ata na pritën shumë mirë, duke na u lutur që të uleshim në tavolinën e tyre.
Idrizi i tregoi Mehmet Ramës për ne, se këta dy djemë janë në shkollë këtu në Tiranë, Bajrami është në të lartën, kurse Isai në shkollë të mesme. Të dy na pyetën sesi kishim dalë me mësime dhe ne ju përgjigjëm se edhe këtë vit shkollor e përfunduam me rezultate të mira.
Mehmeti ndërhyri në çast dhe na pyeti :
“…kur do të vini për në Tropojë djema”?
Idriz Mulosmani siç e kishte zakon që bënte shumë humor, filloi përsëri nga shakatë duke thënë:
“…këta djemë do të shetisin një herë nëpër Tiranë disa ditë, mbasi kanë mbaruar mësimet e pastaj do të vijnë në Tropojë dhe filloi të qeshte”
Unë nuk fola, kurse Isai i tha Idrizit:
“…shoku Idriz mos bë shaka me ne, sepse neve të dy do të vijmë në Tropojë kur të gjejmë makinë…”.
Mehmet Rama qeshi dhe i tha Idrizit:
“…këta dy djem ne do t’i marrim me vete në makinën tonë nesër në qoftë se janë gati”.
Idriz Mulosmani tha:
“…Bajrami me siguri që është bërë gati, kurse Isaja duhet të ketë lënë ndonjë punë pa kryer dhe qeshi”.
Mehmeti e kuptoi shakanë e Idrizit dhe na tha:
“…Nesër në orën tre të mëngjesit të jeni gati para hotel Vollgës (Drini i sotëm) djema”.
I falënderuam shumë të dy drejtuesit e rrethit tonë dhe u ndamë mjaft të gëzuar prej tyre. Të nesërmen në orën e caktuar dolëm te hotel Vollga dhe së bashku udhëtuam drejtë Tropojës.

Qyteti Bajram Curri:
Themelet e këtij qyteti të bukur alpin midis bjeshkëve në Malësinë e Gjakovës, i hodhi Kryetari i Komitetit Ekzekutiv i KP të këtij rrethi, Mehmet Ramë Dollapi.
Pra ky ishte takimi im i parë dhe njohja nga afër me Mehmet Ramë Dollapin. Me thënë të vërtetën, qysh këtë ditë unë krijova një respekt të veçantë dhe tepër të madh, të cilin e ruajta vazhdimisht tërë jetën time për atë njeri të pashoq, për atë burrë të urtë, të dashur plot edukatë e kulturë, për atë kuadër të rrallë, që drejtoi rrethin e Tropojës për pesë dekada të tëra.
Vitet rridhnin shpejt, unë mbarova universitetin në vitin 1959 dhe u caktova me punë në rrethin e Kukësit si kryeinxhinier i ndërmarrjes së SMT-së e cilat mbulonte me punë edhe Tropojën.
Kur shkova për herë të parë në Tropojë si kuadër i SMT-së në mbledhjen që organizuam atje me punonjësit tanë të atij rrethi erdhi edhe Mehmet Rama sëbashku me shefin e Seksionit të Bujqësisë Halit Memia. U gëzova shumë që këta dy kuadro asistuan në takim me ne, por në të vërtetë ndjeva edhe një përgjegjësi të madhe që do të kishim mbi supet tona, për të realizuar detyrat në Malësinë e Gjakovës. Në përfundim të kësaj mbledhje Mehmeti tha:
“…se pari ne besojmë se juve si kolektiv e kuptoni drejtë sa detyra të rëndësishme që kemi për zhvillimin e bujqësisë dhe plotësimin e planeve tona në këtë sektor kaq jetik për popullin tonë…nga puna e juaj varet shumë realizimi i detyrave në rrethin e Tropojës, rritja e rendimenteve në kulturat bujqësore e blegtori, hapja e tokave të reja dhe ngritja e nivelit të mirëqenies së popullit tonë…ne kemi besim në punën tuaj dhe ne si Komitet Ekzekutiv do të përpiqemi t’ju plotësojmë sa më mirë të gjitha kushtet e punës, ku gjithashtu edhe drejtoria e SMT-së do të shtoj kujdesin për brigadat e traktoristëve të Tropojës, pasi për fat të mirë edhe kryeinxhinjeri është djalë i Malësisë së Gjakovës…”.
Pas kësaj mbledhje kur po pinim një kafe, në bisedë e sipër Mehmeti me tha:
“…Bajram ju lutem, ju thuaj edhe drejtorit e kryeagronomit të SMT-se, që të shtojnë kujdesin sa të jetë e mundur për degën e SMT-së së Tropojës dhe sa herë që të vini në Bajram Curri, në mos më takofshi mua për arsye të ndryshme shërbimi, ju lutem kontaktoni me shokët e Seksionit të Bujqësisë …”
Ju shoku Mehmet i thashë, mund të jeni i zënë me punë, por unë sa herë që do të vij këtej do të marë takim patjetër edhe me drejtuesit e bujqësisë dhe këtë premtim e mbajta gjithmonë.
Në vijim dua të theksoj se Mehmet Rama më ka pritur vazhdimisht në zyrën e tij, duke më ndihmuar pa u kursyer për realizimin e detyrave dhe plotësimin e kërkesave tona.
Për Mehmet Ramën, punën, veprimtarinë dhe aktivitetin e tij të madh, si drejtues kryesor i rrethit tonë prej pesëdhjetë e ca vjetësh, qysh nga koha e luftës, mund të flitet shumë gjatë dhe me ditë të tëra, por unë po ndalem vetëm në disa momente që ruhen të fresketa në kujtesën time.
Mehmet Rama si një kuadër model, ishte tepër i komunikueshëm, si me drejtuesit e Ndërmarjes së SMT-së, Gjeologjisë e Furnizimit të Punëtorëve (NFP-së) të Kukësit, por edhe me ata të Ndërmarjes së Ndërtimit të Shkodrës e tjerë, të cilat kishin edhe sektorët e tyre në rrethin e Tropojës. Ai në marrëdhënie me njerëzit karakterizohej si gjithmonë nga thjeshtësia, urtësia, respekti dhe kultura e gjerë në komunikim me ta, pavarësisht se të kujt niveli ishin, apo çfarë funksione shtetërore kishin.
Në këto marrëdhënie, Mehmet Rama si largpamës që ishte, ai shikonte edhe realizimin e dëshirave dhe qëllimeve të tij, për përgatitjen e specialistëve e kuadrove tropojan dhe perspektivën e krijimit të këtyre ndërmarrjeve të reja industriale edhe në Malësinë e Gjakovës , të cilat do sillnim patjetër një zhvillimin të madh ekonomiko-shoqëror edhe për këtë rreth.
Nga ana tjetër ai punonte shumë edhe për përmirësimin e punës me të gjithë kuadrot, për ngritjen e nivelit të ndërgjegjes në punë, arsimit, shëndetësisë, kulturës, artit, sporteve e tjerë, duke mbajtur afër, mbështetur dhe inkurajuar tërë intelektualët që drejtonin në rrethin e Tropojës.
Nga fundi i vitit 1966, Mehmet Rama si anëtar i Komisionit të Kontroll Revizionimit erdhi në Kukës, për të shqyrtuar në Byronë e Komitetit të Partisë dy ankesa. Ishte rasti që në këtë mbledhje u shqyrtua edhe kërkesa e Ministrit të Bujqësisë bërë rrethit të Kukësit, që inxhinieri Bajram Nezaj të lirohej nga detyra dhe të transferohej në Tropojê, sepse së shpejti aty me vendim ë Këshillit të Ministrave do të krijohet edhe ndërmarja e SMT-së . Për respekt të tij, së bashku me Çelë Shabanin (Haklaj), në atë mëngjes shkuam për ta takuar, por nuk mundëm dot, sepse ai ishte tepër i zënë me punë.
Aty rreth pasdreke të asaj dite, unë shkova përsëri dhe e takova Mehmetin, i cili më tregoi se Byroja e Kukësit me ndërhyrjen e shokut Xhaferr Spahiu dhe Tahir Minxhozi kishin miratuar transferimin tim për në rrethin e Tropojës.
E falenderova së tepërmi shokun Mehmet për ndihmën, interesimin dhe qëndrimin që kishte mbajtur për mua në atë takim me shokët drejtues të rrethit të Kukësit. Në vazhdim të bisedave me të, shkuam në drejtim të klubit, por nga që ishte shumë ftohtë, unë i propozova shokut Mehmet që kafen ta pinim tek unë, duke bërë edhe një vizitë në shtëpinë time.
Me të mbërritur në shtëpi, shoku Mehmet ju drejtua bashkëshortes time Zojës duke i thënë:
“…A e pritët mirë lajmin që së shpejt do të transferoheni në Tropojë…?
Në çast Zoja tha:
“…Unë nuk di gjë për këtë problem shoku Mehmet, por natyrisht që jam gati të shkoj kudo që do të transferohet Bajrami dhe pastaj të kthehesh në vendlindjen tënde është kënaqësi e veçantë, por këtu kemi qenë të stabilizuar me strehim dhe punë…”.
Mehmeti u përgjigj menjëherë duke i thënë:
“…Gjithëçka do të rregullohet, për juve Zonjë edhe punën e kemi gati njësoj si këtu, po kështu edhe pallati është në përfundim, pasi kam marr porosi të veçanta edhe nga shokët Xhaferr e Tahir për juve…”.
Dua të theksoj së Mehmet Rama, ky burrë i fjalës dhe i punës u morë vet direkt me rregullimin e strehimit dhe stabilizimin në punë të bashkëshortes time brenda një kohë shumë të shkurtër.
E përmenda këtë bisedë pasi, cili do që do të mund ta lexoj këtë shkrim, do të bindet vet sesa i thjeshtë ka qenë Mehmet Rama. Ai asnjëherë nuk pranonte të fliste diçka për ti atribuuar vetes lavdi personale në kryerjen e detyrës së tij, duke u zgjidhur hallet dhe problemet e shumta që preokuponin njerëzit dhe popullin e Tropojës.
Me fillimin e punës në Tropojë u njoha dhe më mirë me Mehmet Dollapin, me cilësitë e tij të larta si askush tjetër, për të cilin mund të them me mburrje, se kam pasur nderin dhe fatin e madh që punova me këtë njeri të mirë e kuadër të aftë, duke përfituar shumë prej tij. Pas disa muajsh pune në rrethin tim, me simpatinë dhe mbështetjen edhe të Mehmet Ramës, unë u zgjodha anëtar i Këshillit Popullor të rrethit, por edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të KP të Tropojës, kështu që marrëdhëniet e mia të punës me atë ishin direkte, jo vetëm në Komitetin Ekzekutiv, por edhe në Byronë e Komitetit të Partisë të krahinës tonë.
Ky drejtues popullor, ishte shumë i komunikueshëm me të gjithë shokët e forumeve, të cilët ai i dëgjonte me kujdes e respekt, duke i vlerësuar mendimet e tyre edhe kur binin ndesh, apo ishin në kundërshtim me ato të drejtueseve të rrethit. Ai ishte njeri tepër i pjekur dhe mjaft i matur, ku në çdo rast mendohej mirë para se të fliste, me qëllim që fjala ti zinte vend në popull dhe të kuptohej sa më drejtë e të miratohej prej tij.
Mehmeti ishte edhe njohës i mirë i ligjeve të shtetit dhe i vendimeve të organeve shtetërore, duke filluar që nga kushtetuta, vendimet e Kuvendit Popullor, por dhe ato të qeverisë.
Ai lexonte vazhdimisht me pasion të madh libra të ndryshëm, jo vetëm të poetëve, shkrimtarëve, akademikeve, profesorëve, studiueseve dhe artistëve tanë, por edhe atyre të huaj francez, rus, anglez dhe të Lindjes së Mesme, gazetat, revistat e tjerë, për ngritjen e nivelit të tij me dije dhe njohuri të reja bashkëkohore, të cilat i komentonte dhe përhapte edhe tek të tjerët.
Qysh ditën e parë kur fillova punën në Komitetit Ekzekutiv të KP rrethit Tropojë Mehmet Rama me tha:
“…Bajram e di që ju jeni i kujdesshëm dhe i vëmendshëm, por veçanërisht shifrat e realizimit të planeve, duke filluar nga buxheti, plani i të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit, prodhimit industrial dhe bujqësor e tjerë, megjithëse punonjësit e Komitetit Ekzekutiv janë korrekt, bëj siguri para se të dërgohen në organet qendrore, që të jenë të sakta dhe mos lejoni asnjë pasaktësi…Edhe raportet për forumet e rrethit dhe organet qendrore, ditën e fundit jepja vet një shikim…Unë e kuptoj që këto gjera ju do ti keni parasysh dhe i njihni mirë, por si shok ja u thashë këto që ti keni konsideratë…”
E falenderova nga zemra Mehmet Ramën për mendimet dhe këshillat e tij të vlefshme që më dha në ato momente mjaft të rëndësishme për mua, në kryerjen sa më mirë të detyrës time, si kuadër kryesor në rrethin e Tropojës.
Në të vërtet dua të theksoj se mua, jo vetëm atëherë kur isha kuadër i ri, por edhe më vonë e në çdo kohë, nuk më mungoi kurrë ndihma dhe eksperienca e tij, pasi ai ishte vazhdimisht i gatshëm për të kontribuar sa herë që më nevojitej përvoja e madhe e Mehmet Ramës, si ish drejtues në funksione të larta partie e shtetërore.
Mehmet Rama si një udhëheqës masash që ishte, atë e gjeje vazhdimisht kudo, midis fshatarëve, blegtorëve, punëtorëve, ushtarakëve, mësuesve, mjekëve, artistëve e sportistëve, por edhe nëpër ndërmarrje ekonomike e kooperativa bujqësore duke biseduar shtruar, thjeshtë e çiltër me njerëzit për problemet e punës. Ai si gjithmonë i dëgjonte me shumë kujdes mendimet për punën dhe hallet e njerëzve dhe përpiqej në maksimum për sqarimin dhe zgjidhjen e tyre.
Si lider me përvojë të gjatë qysh nga koha e luftës, Mehmet Rama u jepte përparësi kontakteve dhe lidhjeve me popullin e fshatrave dhe zonave të thella malore si Shipshan, Bytyç, Berishë, Kam, Zogaj, Degë, Berishë, Tëplan, Geghysen, Kërrnajë, Shkëlzen, Valbonë, Dragobi dhe sidomos me krahinën e Nikaj-Merturit, ku ai shkonte vazhdimisht me dëshirë, duke bërë maksimumin e mundshëm për përkrahjen dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të kësaj zone.
Me Mehmet Ramën unë kam shkuar shumë herë nëpër fshatrat të ndryshme të rrethit tonë dhe aty kam parë me sytë e mi, sesi njerëzit e donin, respektonin dhe dëgjonin me kënaqësi të madhe këtë lider të shquar popullor, që kishte bërë aq tepër për ta, për zgjidhjen e halleve dhe të shqetësimeve të tyre për dekada të tëra, i cili vazhdimisht mbante shënime për çdo kërkesë që vinte nga masat punonjëse.
Ai gjithashtu u kushtonte një rëndêsi shumë të madhe të gjitha problemeve që shqetsonin popullin tonë, si ato të furnizimit, arsimit, shëndetësisë, transportit publik. familjeve në nevojë ekonomke që duheshin ndihmuar, por edhe për kritikat që bëheshin nga masa për kuadro të niveleve të ndryshme, që shkelnin rregullat dhe ligjet e shtetit në atë kohë.
Për arsye të moshës, ky kuadër i i Malësisë së Gjakovës, megjithëse u lirua nga funksionet e larta të Sekretarit të I-rë dhe Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të KP, ai u zgjodh përsëri Kryetar i Frontit Demokratik të Rrethit të Tropojës, anëtar Pleniumi, anëtar i Byrosë, anëtar i Komisionit të Kontroll Revizionimit, duke punuar vazhdimisht pa u ndalur, derisa u nda nga kjo jetë.
Në të gjitha këto forume, fjala, mendimet, apo sugjerimet e tij dëgjoheshin me respekt të veçantë, pasi ato ishin shumë të vlefshme në punën me njerëzit për të gjitha organet tona drejtuese, nga baza në qendër e deri lartë në Kuvendin Popullor.
Nga eksperienca e punës së shokut Mehmet do të përmend edhe tre raste të tjera, që flasin për cilësitë e larta dhe aftësitë e tij, për zgjidhjen e problemeve që kanë mbetur në kujtesën time dhe konkretisht:
Rasti i parë.
Për nevojat e arsimit ishte propozuar të bëhej lëvizja e një mësuesi nga fshati në shkollën e mesme të qytetit Bajram Curri. Kur po diskutohej ky problem, një nga personat e pranishëm në atë mbledhje tha:
“…unë nuk pajtohem me këtë propozim të aparatit të komitetit, sepse ai mësues rrjedh nga një familje kulakësh…”.
Të gjithë njerëzit u stepën dhe nuk po flisnin.
Në këto momente menjëherë ndërhyri Mehmet Rama, ku ndër të tjera tha:
“Shokët e arsimit e kanë propozuar këtë mësues, sepse ai është i aftë dhe tepër i nevojshëm…fakti që familja e tij ka qenë e cilësuar kulak nuk duhet të na pengoj ne, që ta sjellim në qytet këtë kuadër, sepse së pari, tani ne nuk kemi më kulak, pasi të gjithë kanë hyrë në koperativë, familja e tij është cilësuar e tillë se ishte nga të pasurit e fshatit…së dyti, këtë djalë të aftë, kur unë e dërgova në shkollë të lartë e kam ditur mjaft mirë biografinë e tij …dhe së treti, mesa di unë njerëzit e familjes së tij janë shumë punëtor, të sjellshëm dhe shumë të edukuar në atë fshat…prandaj unë them se, ne duhet të tregojmë tepër kujdes që mos ti bëjmë njerëzit tanë të pa kënaqur pa asnjë arsye…”.
Në fund të kësaj mbledhje të gjithë të pranishmit u pajtuan menjëherë me Mehmet Ramën dhe e falënderuan atë në zgjidhjen e këtij problemi, që do të na shërbente të gjithëve në shkallë rrethi, duke na dhënë një eksperiencë mjaft të vlefshme, për zgjidhjen e problemeve të tilla në të ardhmen.
Edhe personi që u shpreh kundër në fillim, tha:
“…unë tërhiqem nga diskutimi im jo i drejtë që bëra në fillim dhe fjala e shokut Mehmet Rama rreth zgjidhjes së problemit të këtij djali do të ishte një mësim i madh për mua tërë jetën në punën time…”.
Rasti i dytë
Në Byronë e Komitetit të Partisë erdhi një vajzë për tu pranuar në parti. Vajza ishte shumë punëtorë, me shkollë të mesme, e sjellshme dhe aktiviste e dalluar e rinisë, gëzonte respektin e popullit në fshat dhe gjithë zonën. Byroja e Partisë e kooperativës bujqesore dhe organizata ishte e mendimit që të pranohej, por aparati i Komitetit të Partisë kërkonte që të shtyhej pranimi dhe të sqarohej organizata, pasi kjo vajzë kishte prejardhje nga një familje kulake.
Në këtë moment e mori fjalën Mehmet Rama dhe tha:
“…Nga të dhënat personale rezulton se kjo vajzë i plotëson të gjitha kushtet për tu pranuar në parti, përsa i përket familjes, unë dua t’ju sqaroj se kulakët pasi hynë në kooperativë duhen trajtuar ndryshe, domethënë nuk ekzistojnë më aktualisht, dhe familja e saj është cilësuar kulak se, në vend që të jepte një dash për festën lokale të rrethit ka dhënë një qingj. Pra është bërë padrejtësisht kulak, xhaxhai i kësaj vajze është anëtar partie dhe ka qenë partizan. Unë mendoj, që të pranohet në parti dhe vendimet e byrosë dhe organizatës së fshatit të saj, janë mjaft të drejta…”.
Diskutimi i Mehmet Ramës bëri të mundur që Byroja e Partisë Rrethit të marrë një vendim të drejtë dhe kjo vajzë u pranua në parti.
Rasti i tretë.
Dikur, nuk më kujtohet viti, por nga KQ i Partisë erdhi një orientim që të evidentoheshin elementin e mefshtë, inaktiv, ose me ndonjë kleçkë politike në biografi dhe të shikohej qenia e tyre në parti. Edhe në rrethin e Tropojës u nxorën disa emra dhe u caktuan shok të plenumit e të aparatit që të shkonin në organizatat ku do të diskutohej qenia e tyre në parti. Mehmet Rama u caktua të shkonte në minierën e Kamit. Personi, për të cilin u diskutua ishte U.H. një ish partizan e kuadër i Brigadës 25-së Sulmuese, anëtar partie i vitit 1944, kapiten i parë pas çlirimit deri me daljen në lirim të disa oficerëve në shkallë vendi. Edhe në Kam u diskutua për përjashtimin e tij, por organizata nuk e aprovoi një veprim të tillë dhe bile ishte kundër kētij sygjerimi të Komitetit të Partisë për përjashtimin e këtij personi.
Në mbledhjen e Byrosë së Partisë së rrethit, që u bë disa ditë më vonë, Sekretari i I-rë ju drejtua Mehmet Ramës dhe i tha se:
“…Shoku Mehmet, organizata e Kamit është treguar oportuniste, prandaj duhet të shkoni përsëri, të gjykohet dhe përjashtohet ai person…”.
Mehmet Rama me qetësi, por në vetvete tepër i indinjuar, ju kthye Sekretarit të I-rë duke i thënë:
“…Po shoku Sekretar, bashkë me organizatën edhe unë jam treguar “oportunist”, prandaj atje unë nuk shkoj më për rishqyrtimin e atij problemi dhe gjykimi i organizatës bazë sipas mendimit tim është shumë i drejtë…”.
Sekretari I -rë kur mori këtë përgjigje të prerë nga shoku Mehmet Rama, nuk u ndie fare, uli kokën si i zënë në faj dhe kaloi në duskutimin e çështjeve të tjera.
Në të vërtetë Mehmet Rama nuk shkoi më në atë organizatë për një veprim të tillë, por personi në fjalë u përjashtua nga partia dhe më vonë ai u rikthye përsëri në parti me ndihmën e Mehmet Ramës, prej Komisionit të Kontroll Revizionimit të KQ, anētar i të cilit ishte edhe Mehmeti. Kjo ngjarje bëri jehonë të madhe në gjithë rrethin e Tropojës dhe populli fliste fjalët më të mira për Mehmet Ramë Dollapin.
I tregova këto tre raste nga puna dhe eksperienca e këtij kuadri të shquar të rrethit të tonë, që për ne kishin një rëndësi të veçantë gjatë punës me njerëzit, për tu prerë rrugën elementëve ekstremist, që padrejtësishtë kërkonin të bënin popullin të pakënaqur dhe nxisnin e acaronin artificialisht, më tej luftën e klaasave me veprimet e tyre.
Për të gjithë ne kuadrot e Tropojës, mësimet dhe këshillat e Mehmet Ramës kanë qenë shumë të vlefshme e vendimtare në trajtimin dhe zgjidhjen e shumë problemeve të rëndëishme e mjaft delikate, ku shpeshherë për ezaurimin e tyre, organet drejtuese në rreth kërkonin ndihmën ose dërgonin vet Mehmet Ramën, të cilit populli ynë i besonte tej mase këtij burri e kuadri të shquar.
Mehmet Rama ka luajtur një rol kyç e shumë të madh me mendimet dhe punën e tij të palodhur, në gjithë zhvillimin ekonomiko-shoqërore të rrethit Tropojës, shpërndarjen e drejtë të bursave të studimit, duke u dhënë përparësi zonave të largëta e të prapambetura, si dhe hapjen e rrugëve të reja, ngritjen ambulancave nëpër fshatra, ndërtimin e urave e tjerë e tjerë.
Mehmet Rama, megjithëse ishte në funksione të larta partie e shtetërore që kërkonin vazhdimisht punë, angazhim dhe sakrifica të mëdha, ai qe edhe një prind shëmbullor, i cili sëbashku me bashkëshorten e tij Fatimen, rritën dhe edukuan gjashtë fëmijë, duke i edukuar me traditat më të mira të popullit të Malësisë së Gjakovës.
Ai si askush tjetër ishte mjaft i interesuar edhe për shkollimin e arsimimin e tyre, të cilët duke ecur në rrugën e të atit përfunduan me sukses shkollat e larta dhe u bënë kuadro të afta e të vlefshme për rrethin e Tropojës dhe më gjerë.
Kështu vajza e madhe Valbona Dollapi, pasi mbaroi me rezultate të larta Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike, ajo punoi si mësuese në gjimnazin “Asim Vokshi” Bajram Curri, pranë Kabinetin Pedagogjik Lushnje, në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe më vonë mësuese në Manhattan Nju Jork. Dy vajzat e tjera Vera dhe Drita përfunduan Fakultetin e Mjeksisë, kurse djali i vogël Arben Dollapi, kryeu Fakultetin Juridik, ka qenë kryeprokuror në disa rrethe si Kukës, Lushnje, Durrës dhe aktualisht ndodhet me punë në Prokurorinë e Përgjithëshme.
Mehmeti jetoi edhe disa vjet pas fillimit të proçeseve demokratike në vendin tonë. Ai nuk ishte aspak intelektual e kuadër konservator, dhe i mirëpriti mjaft mirë ndryshime të tilla, duke i cilësuar ato si tepër të nevojshme dhe jetike për kohën e vendin tonë.
Vet Mehmeti shumë kohë më parë, aty rreth viteve 1986-1990 ai shprehte një sërë kritikash e pakënaqsishë për situatën e rëndë ekonomike të krijuar në fshatra pas tufëzimit, shkurtimit të oborreve koperativiste, ndalimit të ushtrimit të tregut privat dhe të disa profesineve zejtare, e tjerë , që çuan në vështirësi të mëdha për të gjithë popullin tonë, ku ai shpesh thoshte:
“…nuk duheshin bërë kurrë zvogëlimi oborreve, mbledhja e bagëtive dhe krijimi i tufëzave dhe sidomos në rrethet malore të vendit tonë….ky ishte një orientim shumë i gabuar, që na ka kushtuar shtrenjtë, duke krijuar mjaft probleme për furnizimin e njerëzve tanë…unë nuk e kuptoj pse po veprohet kështu…”.
Po ashtu ai ishte shumë i shqetësuar dhe i indinjuar, për mënyrën sesi po kryeshin proceset e ndryshimeve demokratike në Shqipëri, duke bërë diegie, grabitje dhe shkatërrime të uzinave, fabrikave, ndêrmarjeve ekonomike, reparteve e bazave ushtarake, çerdheve, kopshteve, shkollave, klinikave, veprave ujitëse e kulluese e tjerë.
Mehmet Rama, ashtu siç i donte dhe respektonte të gjithë njerëzit, kuadrot dhe popullin e tij, ai shquhej edhe për kujdesin e jashzakonshëm dhe dashurinë, që tregonte si askush tjetër për brezin e ri, rininë dhe sidomos për fëmijët. Ai midis të tjerash ishte edhe një gjysh shëmbullor e i shkëlqyer, që e donte aq shumë mbesën e vet, vajzën e Valbonës, me të cilën delte shpesh edhe xhiro nëpër qytetin tonë të bukur Bajram Curri. Më kujtohet një rast, kur të dy kishim qenë në një mbledhje në Tiranë dhe po ktheheshim me një makinë për në Tropojë. Po mbritur ende në Fushë Krujë, ai më thotë si me të lumtur:
“Shoku Bajram, a ka mundësi me ma plotsu një dëshirë të timen, sa nuk jemi larg Tiranës”?
Megjithë qef shoku Mehmet i thashë, a mos keni harruar ndonjë send në hotel, apo diku tjetër?
-Jo më tha, po ju e dini se unë kam një mbesë të vogël, që e dua shumë fare dhe ajo më ka porositur ti blej një ëmbëlsirë të re, që ka dalë në Tiranë dhe nuk kam hall pa ja ble, se i kam premtuar.
Qeshëm të gjithë me të madhe brenda në makinë dhe u kthyem përsëri në Tiranë. Shoku Mehmet u futë shpejt në një pastiçeri, bleu ëmbëlsirat për mbesën e tij të dashur Eralda Tushe dhe erdhi nxituar plot gëzim në makinë.
Rrugës kemi folur sëbashku shumë gjatë për mbesën e tij, ku gjithmonë ai thoshte se ajo është shumë e dashur dhe e zgjuar. Dhe pati shumë të drejtë Mehmet Rama për vlerësimin që i bënte mbesës sē tij, pasi sot Eralda Tushe ndodhet në Amerikë dhe ka mbrojtur doktoraturën për drejtësi në New York, ku punon edhe si avokate.
Për Mehmet Ramë Dollapin mund të flasësh me ditë e javë dhe shkruash volume të tëra, sepse veprimtaria, puna, aktiviteti dhe kontributi i tij si drejtues kryesor në disa rrethe të Shqipërisë së Veriut, në ato kohë tepër të vështira, duke filluar qysh nga lufta, pas çlirimit dhe ndërtimi i vendit, janë shumë të mëdha e të gjithanshme, jo vetëm në krahinën e Malësisë së Gjakovës, por edhe në rrafshin kombëtar.
Ky burrë i shquar, kuadër i aftë dhe lider popullor punoi shumë, duke mos kursyer asgjë për zhvillimin e rrethit të Tropojës dhe i shërbejnë si askush tjetër popullit të mbrekullueshëm të kësaj krahine, i cili e përmend vazhdimisht me respekt të madh edhe sot.
Në përfundim të këtij shkrimi dua të theksoj se, shoku dhe miku ynë i shquar dhe i dashur Mehmet Ramë Dollapi ishte një figurë e ndritur e Malësisë së Gjakovës dhe model për të gjithë ata kuadro e patriot, që duan ti shërbejnë me përkushtim popullit, krahinës së tyre, Shqipërisë, kombit tonë dhe Demokracisë.
Emri dhe vepra e Mehmet Ramës do të bëjnë gjithëmonë dritë dhe do të kujtohen e nderohen vazhdimisht në të ardhmen nga populli ynë.
Bajram Nezaj
New York
May 31, 2013.

Dorëshkrimi i zotit Bajram Neza, bërë për patriotin Mehmet Ramë Dollapi, që mbanë datën 31 maj 2013.
Përgatitur për botim:
Nga:
Andy Apolloni
New York May 2026.



