Të zhytur në krizë! Protestuesit mësyjnë pallatin presidencial dhe pushtojnë pishinën

09 korrik 2022 | 18:43

Pishina e pallatit presidencial në Sri Lanka u pushtu nga manifestuesit e zemëruar për krizën ekonomike që ka kapluar vendin. Imazhet që po bëjnë xhiron e botës, janë pjesë e një revolte masive qe ka përfshirë shtetin e Azisë Jugore. Mijëra protestues të ardhur nga i gjithë vendi mësynë pallatin presidencial në kryeqytetin Kolombo ditën e shtunë, në shenjë pakënaqësie ndaj mënyrës se si qeveria po menaxhon krizën ekonomike.

Manifestimi, një prej marshimeve më të mëdha antiqeveritare në vendin e zhytur në krizë përshkallëzoi në dhunë pasi mijëra qytetarë të zemëruar kaluan barrikadat policore duke hyrë në pallatin presidencial dhe zyrën e afërt të Presidentit Gotabaya Rajapaksa. Policia qëlloi plumba në ajër dhe hodhi gaz lotsjellës por nuk arriti ta ndalonte turmën të hynte në pallat. Dhjetëra persona kanë mbetur të plagosur.

Pamjet tregojnë qytetarë me flamuj të Sri Lankës në duar dhe helmeta, teksa mësyjnë në rezidencën e kreut të shtetit, duke u zhytur edhe tek pishina e tij. Sipas raportimeve, Rajapaksa është zhvendosur në një zonë të sigurt, disa burime pretendojnë se mund të jetë larguar nga vendi.

Ishulli prej 22 milionë banorësh po përballet me vështirësi për importin e ushqimeve, karburantit dhe medikamenteve dhe është zhytur në krizën më të thellë ekonomike që prej pavarësisë së arritur në vitin 1948. Zemërimi publik i drejtohet kryesisht familjes së presidentit, e cila fajësohet për korrupsion dhe nepotizëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hapja zyrtare e Vkusno dhe Tochka në Rusi u bë…