Teki Dervishi, ky shkrimtar sui generis

30 qershor 2023 | 09:02

Nga: Ahmet Selmani

Njëra nga detyrat tona intelektuale, morale e kombëtare, pa dyshim është edhe përkujtimi dhe nderimi i figurave të rëndësishme që kanë lënë gjurmë të veçanta dhe që kanë bërë kthesë rrënjësore në historinë e kulturës sonë. Mbase e tillë është edhe figura e poetit, prozatorit, dramaturgut dhe publicistit të spikatur, Teki Dervishi (1943-2011).

I lindur më 16 janar të vitit 1943 në Gjakovë, pikërisht në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, kur fati ynë sërish ishte vënë në pikëpyetje, ai kaloi një fëmijëri tepër tronditëse e dramatike, duke i përjetuar trysnitë dhe padrejtësitë e shumta që i bënte regjimi komunist jugosllav, kur më vonë, në moshën 17 vjeçare u arrestua, u dënua dhe vuajti disa vjet në burgun famëkeq të Goli Otokut.

Edhe përkundër të gjitha goditjeve e vuajtjeve të shumta që përjetoi në rininë e tij, prapëseprapë Teki Dervishi arriti të formohet dhe të shfaqet si një krijues me koncept e vizion shumë avangard e postmodern. Krijimtaria e tij u përqendrua në fushën e poezisë me librat e botuar si “Nimfa” (1970), “I varun me vargje për Drunin e Blertë” (1971), “Shtëpia e sëmurë” 1978), “Thashë” (1981) etj.; në atë të prozës me librat “Pirgu i lartë” (1972), “Padrona” (1973), “Skedarët” (1974), “Herezia e Dervish Mallutës” (1981), “Palimpsest për Dush Kusarin” (1993); në atë të dramaturgjisë me librat “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi” (1979), “Bregu i pikëllimit” (1985), “Pranvera e librave” (1990), “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit” (1990), “Kufiri me atdhe” (1996), “Vojceku” (1996), “Eshtrat që vijnë vonë” (2000), “Nesër nisemi për parajsë” (1999) etj., dhe në fushën e publicistikës nëpërmjet artikujve e kolumnave të botuara në shtypin shqiptar, veçmas në gazetën “Bota sot” të cilën e drejtoi për vite me radhë derisa u nda nga jeta më 29 qershor të vitit 2011.

Të flasësh sot për shëmbëlltyrën krijuese e intelektuale të Teki Dervishit, do të thotë të flasësh për një personalitet par exellence e të kompletuar, i cili bëri maksimumin në fushën e krijimtarisë letrare dhe publicistike, duke e derdhur tërë shpirtin, aftësinë dhe dijen e tij.

Para së gjithash, si poet ai u shfaq me një frymë krejt të re dhe atipike për rrethanat tona, duke e përmbysur zhanrin klasik e skematik dhe duke i rrënuar të gjitha klishetë e vjetra e të ngurta. Ky ndryshim kaq rrënjësor e bëri atë jashtëzakonisht epërsor e radikal, për arsye se paralajmëroi një epokë të re letrare e cila ngjante si një zbulim i paparë për lexuesit në përgjithësi.

Të pamësuar me këtë lloj poezie, qarqet dogmatike e socrealiste nuk do ta presin mirë, madje edhe do ta sulmojnë e linçojnë në mënyrë staliniste, dhe sidomos me shpërfillje e djallëzi, për shkak se ai në mënyrë shumë të zgjuar dhe inteligjente, me një elegancë intelektuale dhe me një shije të hollë do t’i sfidojë format e tejkaluara e anakronike, pikë së pari me transformimin e strukturës së zhanrit që po e sillte para lexuesit, pra fundekreje të zhbllokuar e të çakorduar, të përmbysur e të rikompozuar, si dhe me anë të diskursit të gjerë poetik të ngjeshur me figuracion e ironi therëse.

Për të dëshmuar se poezia është shqiptim i vetmisë subjektive, ai e identifikoi atë kryekëput me unin e vet rebel, duke folur në vetën e parë, si një artikulues i gjendjes në të cilën ndodhej, duke e përshkuar atë vertikalisht nëpërmjet depërtimit të brendshëm dhe duke zbuluar përmasat tragjike të realitetit përkatës. Në të vërtetë, e gjitha poezia e Teki Dervishit është kundërvënie dhe protestë, mospajtim dhe revoltë, andaj nëpërmjet gjuhës së figurshme ai thotë:

Dua të dal nga kjo odë e sëmurë
Dua të ik … dua të ik
Unë nuk e dua atin e dheun!

Pra, kemi të bëjmë me një rebelim shumë të guximshëm, finok dhe sqimatar, me të cilin na e bën me dije se ai ishte plotësisht i ndërgjegjshëm se ku jetonte, se liria ishte vetëm një utopi e dhimbshme. Kështu vizioni poetik i tij ishte mahnitës në kontekstin e kohës kur jetoi dhe krijoi, sepse nga distanca e sotme ai realitet i sëmurë u shndërrua në një gërmadhë historike dhe në një kujtim të trishtë e rrëqethës.

Shikuar në përgjithësi, mendimin e vet poetik Teki Dervishi e përqendroi në kod apo në figurë duke i dhënë një ngarkesë maksimale me kuptim, siç do të thoshte Ezra Paund. Dhe, kjo gjuhë figurative është metaforë goditëse e shkallmuese, asociative e grishëse. Ajo është semantikë e hapur dhe e mbyllur njëkohësisht. Thjesht kemi të bëjmë me një sistem poetik të përsosur i cili nxit nëntekste e nëpoetika të reja. Kjo do të thotë se gjuhën poetike ai e çliroi nga pozitat e ngrira dhe e pasuroi me shumësi semantike, si një materie artistike që lëviz dhe rrëmbushet me kuptim të veçantë.

Krahas poezisë, po ashtu edhe në fushën e prozës Teki Dervishi dëshmoi përkushtimin dhe vazhdimësinë e tij krijuese, duke bërë një kalim gati të padiktueshëm nga poezia në prozë, ose duke e shkrirë njërin zhanër në tjetrin, ashtu siç bëri edhe me poezinë të cilën e çrëndomtësoi në të gjitha mënyrat e mundshme.

Pa dyshim, edhe në këtë rrafsh kërkimi tematik shtrihet në sferat shoqërore dhe ekzistenciale, ku individi dhe shoqëria paraqesin një paradoks apo antagonizëm të ashpër. Nëpërmjet rrëfimit psikologjik e filozofik ai zbulon shpërputhjen e thellë që ekziston midis tyre, ndjesinë e brendshme të njeriut dhe barrierat shoqërore që i dalin përpara. Pra, është çështja e lirisë ajo që e përcjell atë në secilën situatë e rrethanë. Këtë e gjejmë te romani “Herezia e Dervish Mallutës” ku zhvillohet një dramë e thellë e individit në marrëdhënie me shoqërinë ku ai bën pjesë, pra si një diskrepancë mjaft e theksuar e cila i ka baticat dhe zbaticat e veta. Depërtimi në ontologjinë e individit është synim kryesor i autorit, ngaqë ishte i bindur se ana e jashtme nuk përputhej me anën e brendshme. Realiteti shoqëror ishte vetëm një kamuflazh propagandistik dhe një mit për shpëlarjen e trurit, prandaj të vërtetën absolute e kërkonte vetëm brenda shpirtit të individit i cili ishte heroi i vërtetë, ndonëse me fat krejtësisht dramatik dhe tragjik.

Në këtë kontekst mund ta shohim edhe romanin tjetër me titull “Palimpsest për Dush Kusarin” ku sërish e vë në spikamë individin në raport me shoqërinë. Në fakt romani ka të bëjë me Kadri Kusarin, njërin nga veprimtarët e kauzës kombëtare pas Luftës së Dytë Botërore, të cilin e nxjerr nga harresa e rëndë duke e rindërtuar nga fillimi heroizmin dhe sakrificën e tij dhe duke e shndërruar në hero të romanit si prototip të veçantë. Pra, autori udhëhiqet nga shtysa e rehabilitimit, për ta shpërfaqur individin ashtu siç është në kohë dhe në hapësirë. Në të vërtetë, ky është metateksti i tij, palimpsesti i fshirë dhe i rishkruar, ku heroi del në mënyrë triumfale.

Po ashtu edhe në fushën e dramaturgjisë, Teki Dervishi dëshmoi fuqinë dhe magjinë krijuese duke e transformuar atë si zhanër, si koncept krijues dhe si përmbajtje. Me anë të dramave siç janë “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”, “Bregu i pikëllimit”, “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit”, “Pranvera e librave”, “Eshtrat që vijnë vonë” etj., ai solli substancën e ekzistencës sonë kombëtare dhe historike, duke prekur në nervin kryesor të ontologjisë kolektive me qëllim që të shpaloste imazhin tragjik të saj nëpër kohë e hapësirë. Në këtë mënyrë vlen të themi se dramaturgjia e tij është një dekonstruksion i realitetit tragjik, çjerrje e tisit të mistereve me anë të kodeve e nënkodeve poetike. Diskursi dramatik i tij është intrigues dhe provokues, të fut në thellësi të gjërave e fenomeneve për të bërë autopsinë psikologjike. Nëpërmjet personazheve të tij krijon imazhin e gjallë të asaj që ndodh në rrethana të vështira. Dhe, në këtë mënyrë arriti të krijojë një komunikativitet të ri me spektatorin e teatrit, duke e mishëruar atë me botën tragjike për ta ndjerë dhe për ta kuptuar fatin e vet.

Kjo do të thotë se Teki Dervishi nëpërmjet veprave dramatike të tij arriti ta transformojë edhe teatrin si një institucion kulturor dhe shoqëror, si frymë ndërgjegjësuese dhe emancipuese. Pikërisht për shkak të dramave të Teki Dervishit, teatrot shqiptare, sidomos në Prishtinë dhe në Shkup, u bënë institucione joshëse për spektatorët. Këtë e dëshmojnë shfaqjet e tij të cilat nuk hoqën me vite të tëra nga skena e teatrit.

Pa dyshim, ndihmesa e Teki Dervishit nuk është më pak e rëndësishme as në fushën e publicistikës. Këtë e themi për arsye se shkrimet dhe kolumnat e tij ishin një dritare e vërtetë për lexuesit në përgjithësi. Nëpërmjet vrojtimeve dhe botëkuptimeve intelektuale ai dëshmoi një pjekuri dhe largpamësi duke i pikatur çështjet në thellësi dhe në largësi, duke i vënë ato në shënjestrën ironike e parodike, por edhe duke dhënë alarmin e rrezikut prej tyre. Periudha dramatike nëpër të cilën kaluan shqiptarët ishte tema kryesore e shkrimeve të tij. Ai u bë determinuesi i gjërave, sugjeruesi dhe këshilltari jonë, vizionari dhe profeti i pakundshok. Shumë gjëra që i parashikoi, dolën tmerrësisht të sakta. Dhe, si rezultat i kësaj shkrimet e tij u bënë shumë të besueshme, pragmatike dhe utilitare, ndaj shpesh shërbenin edhe si një udhërrëfyes paradigmatik në përmasa kolektive. Me anë të tyre ai shkundi ndërgjegjen e shqiptarëve, u dha grushtin shkallmues politikanëve mediokër e analfabetë. Prandaj, publicistika e tij do të mbetet si një dëshmi e kohës gjegjëse, por aq më tepër edhe si vlerë historike e kombëtare e cila do të lexohet e studiohet edhe në të ardhmen. Ai dëshmoi se ishte një publicist në kuptimin më intelektual të fjalës, sepse shihte më larg se të tjerët. Ishte një shkollë më vete prej së cilës mësuan shumë intelektualë e publicistë të tjerë. Dhe në këtë aspekt meriton të vlerësohet e respektohet në mënyrë të denjë.

Nga e gjithë kjo që e theksuam deri tani, mund të nxjerrim një përfundim për rëndësinë e personalitetit të Teki Dervishit.

Së pari, Teki Dervishi është shkrimtar i mirëfilltë dhe shumë i rëndësishëm i letërsisë shqiptare. Ai e emancipoi atë në të gjitha format e saj: në pikëpamje zhanrore, konceptuale, gjuhësore, poetike, filozofike etj. Teki Dervishi i solli letërsisë shqiptare frymën e plotë moderne e postmoderne, duke e nxjerrë nga skemat e thata rrëfimore dhe nga retorika skematike. Ai solli përvojat krijuese të Kafkës, Xhojsit, Borgesit etj. Në të vërtetë, është një postmodernist tipik që u shfaq në kohën kur të tjerët i thurnin lavde e panegjirikë socrealizmit e udhëheqësit “të lavdishëm” e që sot mburren se e kanë sjellë frymën e postmodernizmit. Ai nuk synoi të zbriste në nivelin e lexuesit të rëndomtë, por synoi ta krijojë lexuesin e vet, ta edukojë estetikisht dhe ta ndërgjësojë se në letërsi kryesore është arti, jo tema që e trajton.

Së dyti, prania e tij në jetën letrare, teatrore dhe publicistike ishte shtyllë e fuqishme për ta ruajtur komunikimin thelbësor në mes vlerave të mirëfillta dhe lexuesit si perceptues i tyre. Idetë dhe konceptet e tij u bënë model intelektual për breznitë e reja të cilat shpesh e ndiqnin atë gati në mënyrë epigonike. Dhe si i tillë ai do të mbetet përgjithmonë, natyrisht për ata që kanë shije dhe koncept të shëndoshë për artin dhe estetikën.

Së treti, vendosmëria, guximi dhe dhuntia e tij për t’i thënë gjërat në të gjitha format e shkrimit, tregon për ngulmimin dhe vendosmërinë e tij të fuqishme intelektuale e krijuese. Pra, personalitetin e Teki Dervishit ne mund ta lexojmë e kuptojmë edhe në poezi, edhe në prozë, edhe në teatër, edhe në publicistikë. Shumë herë ai diti që të njëjtat çështje t’i trajtojë edhe nëpërmjet vargjeve, edhe nëpërmjet rrëfimit në prozë, por edhe nëpërmjet shkrimeve publicistike. Dhe në këtë aspekt ai u tregua njëlloj i suksesshëm.

Së katërti, Teki Dervishi meriton të zërë vendin e merituar në shoqërinë shqiptare. Por, për fat të keq, te ne distanca kohore shndërrohet në harresë ose shpërfillje dhe jo në rivlerësim apo studim objektiv. Në kohën kur kryetari apo kryeministri i Kosovës u japin mirënjohje apo dekorata edhe njerëzve që e kanë kontaminuar dhe ndotur jetën tonë kulturore me tallava, Teki Dervishi dhe shumë të tjerë si ai, janë lënë të harresë të plotë, janë shpërfillur e mënjanuar gati në mënyrë armiqësore. Ky paradoks është shumë i shëmtuar dhe i pafalshëm. Por e gjithë kjo e ka një të mirë, është e përkohshme dhe do të tretet bashkë me analfabetët funksionalë që kanë vërshuar gjithandej shoqërinë shqiptare.

Së pesti, meqë Teki Dervishi tanimë e ka mbyllur jetën e vet fizike, kjo do të thotë se krijimtaria e tij e ka hapur rrugën e komunikimit. Ai bëri aq sa mundi gjatë jetës së tij, ishte i pranishëm dhe i papranishëm. Por, nga distanca e sotme kohore na le të kuptojmë se më shumë se shkrimtar i të tashmes, ai është shkrimtar i të ardhmes. Vendosja e tij në rendin e lartë të vlerave kulturore e kombëtare, është e ngadalshme, por tepër e sigurt dhe ngadhënjyese. Emrin e Teki Dervishit meritojnë ta mbajnë shumë institucione arsimore, kulturore, teatrore etj. Veprat e Teki Dervishit meritojnë të jetë në secilën antologji e histori të letërsisë etj. Teki Dervishi meriton t’i botohet një komplet i veprave. Ai është shkrimtar sui generis që e nderon letërsinë tonë kombëtare dhe i siguron perspektivë asaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Si e njihte shqiptaro-amerikani Gani Perolli, ish-kryetarin e Lidhjes së…