Temperatura afër 50 gradëve në Europë, rritet vdekshmëria e qenve dhe maceve nga i nxehti në Francë
Vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën Perëndimore po shkakton gjithashtu rritje të temperaturave të tokës, me vlera që arrijnë në 48 gradë në Madrid, 44 gradë në Romë dhe 46 gradë në Poitiers në Francë, si dhe në Zaragoza në Spanjë.
Kjo tregohet nga zbulimet e satelitëve Sentinel-3 të Copernicus, programit të vëzhgimit të Tokës të Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA) dhe Komisionit të BE-së.
Që nga fillimi i valës së të nxehtit në Francë, vizitat veterinare për qentë, macet, por edhe lepujt dhe zogjtë janë rritur ndjeshëm.
Kjo u raportua nga shërbimi francez i urgjencës veterinare 3115, i cili regjistroi “një rritje prej pothuajse 10% të vdekshmërisë midis kafshëve të trajtuara në dhomat e urgjencës krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.
“Për macet, është një proces i zgjatur, që zhvillohet pas disa ditësh vape dhe dehidratimi progresiv. Tek qentë, simptomat shfaqen kryesisht në dy ditët e para; pas kësaj, njerëzit marrin masat paraprake të nevojshme”, shpjegon një nga veterinerët që bën vizita në shtëpi në rajonin Le-de-France, një nga rreth 50 departamentet që regjistruan temperatura mbi 40°C të mërkurën.
Ndër masat paraprake që duhen marrë në shtëpi sapo të bëhet shumë vapë: qepena të mbyllura, enë uji në disa dhoma, dyshekë ftohës dhe ushqim i lagësht për macet.
Për qentë, përparësia e menjëhershme është t’i ftohësh në një vend të freskët, t’u lagësh gjymtyrët dhe pastaj t’i mbështjellësh me një peshqir të lagur.
Por disa kafshë vdesin para se të vizitohen nga një veteriner. Goditja nga nxehtësia është “fatale në një në dy raste”.
Këlyshët, kafshët obeze ose të moshuara dhe racat brakicefalike janë më të prekshmet.



