Temperatura apo politika: Pse nuk luajtën volejbollistët e Kosovës dhe Serbisë?

24 janar 2024 | 15:40

Federata e Volejbollit e Kosovës kërkoi nga Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) që t’i verifikojë pretendimet e Serbisë se nëntë lojtarë kishin temperaturë dhe se, për këtë arsye, kombëtarja e të rinjve nuk e zhvilloi ndeshjen me Kosovën.

Këtë lajm e bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, Bahri Gjinovci, kryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës.

Skuadra e volejbollit për meshkuj nën 18 vjeç e Serbisë nuk luajti një ndeshje kundër Kosovës më 21 janar në Strumicë të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024. Ndeshja u regjistrua me rezultatin zyrtar 3:0 në favor të Kosovës dhe kadetët e Serbisë e mbyllën garën në vendin e gjashtë – gjë që i eliminoi nga kualifikimet e mëtutjeshme. Shpjegimi zyrtar ishte se nëntë lojtarë kishin temperaturë dhe kjo i pengoi të dilnin në fushë. “Kjo mund të ndodhë, por ne nuk e besojmë këtë [arsyetim]. Kemi kërkuar nga Konfederata Evropiane e Volejbollit të konfirmojë nëse janë dorëzuar raporte mjekësore, se vërtet ky ka qenë rasti apo nuk kanë dashur të luajnë kundër Kosovës”, ka thënë Gjinovci.

Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet. Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Federata e Volejbollit e Kosovës më 22 janar ka thënë se më shumë do t’i gëzohej suksesit të arritur në fushë sesa rezultatit të marrë “në tavolinë”. “Sporti duhet të krijojë ura bashkimi, e Serbia, në këtë rast, ka dëshmuar përmes veprimeve të kësaj natyre se akoma nuk e ka këtë vullnet e gatishmëri”, u tha në deklaratën e saj.

Federata e Volejbollit e Serbisë i tha Radios Evropa e Lirë se ndeshja nuk u luajt, sepse nëntë lojtarë ishin me temperaturë të lartë. Sipas mjekut kujdestar, i cili përcaktohet nga vendi pritës, edhe delegatët është dashur ta konfirmojnë gjendjen shëndetësore të lojtarëve. Federata serbe nuk i komentoi pretendimet e Prishtinës, se vendimi për të mos luajtur ndeshjen me Kosovën mund të jetë politik. “Pasi përfundoi në vendin e gjashtë, ekipi kombëtar i Serbisë nuk e kaloi rundin tjetër [kualifikimin]”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Konfederata Evropiane e Volejbollit. Ndryshe nga Serbia, Kosova kaloi në fazën tjetër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024. Në turneun kualifikues në Strumicë, Serbia është dashur të luftonte për vendin e pestë me Kosovën. Nikolla Jankoviq, gazetar i Sport Klubit në Serbi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kadetët serbë “janë përjashtuar nga i gjithë cikli kualifikues për moshën e tyre”.

“Djemtë e humbën shansin për të garuar në Kampionatin e ardhshëm Evropian dhe duke pasur parasysh se ai është kualifikues për Kampionatin Botëror, e humbën shansin për të garuar edhe në Kampionatin Botëror”, ka thënë Jankoviq. “Kadetët serbë do ta kenë shansin e ardhshëm për të garuar kur të jenë dy ose tre vjet më të vjetër”, ka shtuar ai.

Konfederata Evropiane e Volejbollit dhe Shoqata Ballkanike e Volejbollit nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it nëse e kanë marrë kërkesën e Kosovës dhe nëse do t’i hetojnë pretendimet e Serbisë për lojtarët e sëmurë. Viteve të kaluara, në disa raste, politika mes Kosovës dhe Serbisë ishte vendimtare në garat sportive të skuadrave të tyre. Dy lojtarë dhe një trajner me origjinë nga Serbia nuk morën pjesë në ndeshjen e Ligës Evropiane mes klubit sllovak, Slovan Bratislava, dhe klubit kosovar të futbollit, Feronikeli, në korrik të vitit 2019.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besnik Bislimi, ka…