‘Tenderomani selektive’, Abdixhiku: Qeveria ka dhënë 209 milionë euro me negocim të drejtpërdrejtë

15 mars 2024 | 12:20

Kryetari LDK-së, Lumir Abdixiku, ka vazhduar kritikat ndaj qeverisë për tenderët njëburimor.

Ai ka bërë me dije se Qeveria Kurti ka dhënë 781 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë.

Ai në “Facebook”, ka shkruar se vlera e këtyre tenderëve është 209 milionë euro.

“Mendojeni për pak, – Plot 781 tenderë, në vlerë prej 209 milion eurove, janë dhënë nga “Pushteti i Shpresës” me negocim të drejtpërdrejtë! Pa procedura, pa konkurrencë, me muhabet të drejtpërdrejtë! Pra, e thërrasin një biznes që e zgjedhin vet, dhe i japin tender! Kaq thjeshtë! Nuk ka garë, nuk ka çmim të lirë, ka marrëveshje një me një!”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka përmendur institucionet që janë kampionen në këtë drejtim.

“Kështu janë ndarë plot 209 milion euro; 781 herë! 30 milion vitin e parë; 70 milion në të dytin, 109 në të tretin. Sa më gjatë në pushtet, aq më i mësuar zanati! – Në KEK, 13 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë, i janë dhënë një biznesi të njëjtë. 13 herë, pa procedurë, pa konkurrencë, me zgjedhje të drejtpërdrejtë 6 milion euro biznesit të njëjtë. Jo një herë, jo dy herë, jo tre herë por plot 13 herë!”, ka treguar ai, duke përmendur ministrinë që e drejton Xhelal Sveçla.

“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për shërbime të IT-së, 15 milion euro me negocim, pa procedurë e pa konkurrencë, i janë dhënë një biznesi me një tender. Plot 15 milion euro me muhabet të drejtpërdrejtë; në një fushë me dhjetra biznese me shërbim të njëjtë!”, ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar se LDK-ja nuk do të ndalet për t`i shkuar të vërtetës rreth kësaj çështje deri në fund.

“Debatit në Kuvend i ikën; lëshuan sallë, por të vërtesës nuk kanë nga t’i ikin! Këto, dhe kontratat tjera njëburimore, do t’i trajtojmë ditët në vijim. Në Kuvend dhe jashtë tij; le të kuptojmë se si prapa perdes së popullizmit dhe arrogancës së të paprekurit fshihet një tenderomani selektive dhe sistematike si asnjëherë më parë!”, ka vlerësuar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesorit amerikan, Edward P. Joseph, i cili njihet për përkrahjen…