Tërnava takohet me kryetarët e këshillave të BIK-ut, bisedojnë për muajin e shenjtë të Ramazanit

30 mars 2022 | 16:31

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim ef. Tërnava, ka zhvilluar të mërkurën një takim me kryetarët e këshillave të BIK-ut.

Ky takim është organizuar me qëllimin e vetëm, atë të koordinimit dhe organizimit sa më të mirë të aktiviteteve në terren të organizuara nga BIK-u.

Myftiu Tërnava, fillimisht u ka dëshiruar mirëseardhje kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të rajonit të Gorës, Miralem ef. Misini, si një këshill i formuar së fundi nga Kuvendi i BIK-ut. Ai i ka dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme në udhëheqjen e këtij këshilli.

Më pas ai ua ka rikujtuar atyre përgjegjësinë që kanë për organizimin dhe udhëheqjen e jetës fetare në këshillat e BIK-ut.

Në fokus të takimit ishin edhe organizimi dhe aktivitetet fetare gjatë muajit të bekuar të Ramazanit si dhe koordinimi sa më i mirë në mes të Kryesisë së BIK-ut dhe këshillave të BIK-ut nëpër terren, në mënyrë që bashkërisht t’i bashkërendojnë punët gjatë këtij muaji si dhe të tejkalohen problemet dhe sfidat që po ballafaqohemi për çdo ditë.

Myftiu Tërnava po ashtu ka porositur kryetarët e këshillave të BIK-ut që të jenë më afër me xhematin.

“Gjatë këtij muaji kemi pasur takime të shumta me kryetarë komunash ku kemi biseduar dhe i kemi falënderuar për bashkëpunimin shumë të mirë që kemi, si në nivele lokal ashtu edhe qendrore, si dhe i kemi falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme që janë duke ua dhënë këshillave të BIL-ut nëpër komuna. Po ashtu kemi pasur takime të shumta me xhemat, kryetar të këshillave, punonjës dhe kemi dëgjuar nga ata për çdo gjë që mund të bëhet në të mirë të zhvillimit dhe prosperitetit të Islamit dhe ardhmërisë së tij në këto troje”, ka thënë Tërnava.

Myftiu Tërnava ka shprehur mirënjohje për kontributin që kanë dhënë kryetarët e këshillave të BIK-ut dhe të gjithë imamët për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Ai ka thënë se BIK-u vazhdimisht ka punuar dhe është interesuar për përmirësimin dhe ruajtjen shëndetit publik te qytetarët.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria e Inspekcionit respektivisht inspektorët e ndërtimit gjatë ditës së…