Testohen reflektorët në stadiumin “Fadil Vokrri”

07 prill 2020 | 23:38

Edhe pse aktualisht është i pezulluar i gjithë aktiviteti garues në futboll në Kosovë si pasojë e pandemisë së Coronavirusit Covid-19, megjithatë nuk janë ndalur punët sa i përket përmirësimit të kushteve në stadiumet e futbollit, me theks të veçantë në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku në shtator na presin emocione tjera nga djelmoshat tanë dardanë.

Në fakt, pas rikuperimit të fushës së gjelbër dhe renovimit dhe dizenfektimit të ambienteve të brendshme të stadiumit, sonte është bërë edhe testimi i reflektorëve dhe gjithçka është në rregull dhe kjo arenë është plotësisht e gatshme për ndeshjet e Kombëtares A.

Duke qenë se tani jemi në pushimin e detyruar të garave, Federata e Futbollit e Kosovës është duke punuar pareshtur në të gjitha segmentet që të jetë sa më e gatshme për tri ndeshjet e Ligës së Kombeve që do t’i ketë në shtator, derisa pa dyshim mirëmbajtja e infrastrukturës së stadiumit është prioritet.

Me këtë rast FFK falënderon stafin e stadiumit, të cilët edhe në këto rrethana të pandemisë kanë punuar me përkushtim maksimal dhe si rrjedhojë kanë arritur që fushën e këtij impianti ta kthejnë në gjendje të shkëlqyeshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar…