Tetë të vdekur nga shpërthimet në një stadium në Afganistan

19 maj 2018 | 11:14

Tetë persona kanë humbur jetën dhe mbi 45 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas disa shpërthimeve në një stadium në qytetin Jalalabad, kanë njoftuar autoritetet afgane.

Shpërthimet ndodhën në kohën kur në stadium po luhej një ndeshje kriketi, në nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Sohrab Qaderi, anëtar i Këshillit Provincial, ka thënë se shpërthimet janë kryer me dy mjete që janë detonuar nga larg, duke shtuar se organizatori i ndeshjes Hidayatullah Zaheer dhe disa zyrtarë lokalë, janë në mesin e të vrarëve.

Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto sulme, të cilat janë dënuar ashpër nga presidenti afgan, Ashraf Ghani.

“Terroristët nuk u ndalën së vrari njerëzit tanë edhe gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Duke kryer sulme terroriste në stadiume të mbushura me njerëz, edhe njëherë ata dëshmuan se nuk kanë lidhje me besim apo fe, ata janë armiq të njerëzimit”, thuhet në reagimin e presidentit afgan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mjekë nga Kosova, Sllovenia dhe vende të tjera të rajonit,…