Teuta shmang turpin me përmbysje, Sebino Plaku hero i durrsakëve

27 korrik 2021 | 21:11

Teuta fiton dhe kualifikohet në Andorra. Kampionët e Shqipërisë përmbysën Inter Escaldes dhe siguruan kualifikimin në raundin e tretë të Conference League, aty ku do të përballen me irlandezët e Shamrock Rovers.

Djemtë e Edi Martinit u mposhtën 0-2 një javë më parë në “Niko Dovana”, por sot ia dolën të fitojnë 0-3 përballë kampionëve të Andorrës. 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan 0-2 për ekipin tonë.

Sebino Plaku zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe gjeti dy herë rrugën e rrjetës. 36-vjeçari zhbllokoi takimin në mesin e pjesës së parë. Plaku ktheu në gol një asist të Sherif Kallakut nga krahu i majtë.

Ndeshja u karakterizua nga dyluftime, teksa Plaku realizoi edhe golin e dytë në minutën e 80-të. Eurogol i sulmuesit me eksperiencë, i cili gjeti trekëndëshin e portës së Interit falë një goditje fantastike me të djathtën.

Ndeshja shkoi në shtesa dhe 30 minutat ishin të mbushura me tension. Teuta fitoi një penallti në fundin e fraksionit të shtesës së parë. Ildi Gruda u nis bukur pas një asisti të mrekullueshëm të Kallakut, por u pengua në mënyrë të parregullt nga portieri vendas.

Penallti për Teutën, Sherif Kallaku nuk gaboi nga pika e bardhë dhe realizoi golin e kualifikimit. Edhe Interi pretendoi për një penallti më vonë, por arbitri kryesor mendoi ndryshe. Në fund tension dhe përplasje mes lojtarëve, por vetëm kaq.

Gola nuk pati më, Teuta e Edi Martinit ia doli të sigurojë një kualifikim të rëndësishëm dhe tani i pret një rival irlandez në turin tjetër. Ndeshja e parë ndaj Shamrock Rovers do të luhet në transfertë më 5 gusht, teksa një javë më pas zhvillohet sfida e kthimit në Shqipëri.

Conference League, raundi i dytë
Inter Esclades-Teuta 0-3 (2-0)
(Plaku 25′, 80′, Kallaku (p) 105+1′)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë kanë dhënë dorëheqje…