Thaçi: Anëtarësimi në BE, siguron paqe afatgjate në rajon

27 prill 20:30

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë të premten në takimin e liderëve rajonalë, i cili u mbajt në Shkup, në kuadër të procesit të “Bërdo-Brione”.

Në këtë Samit kanë marr pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Donalt Tusk dhe kryeministri bullgar, Boyko Borissov, shteti i së cilit kryeson me presidencës e BE-së.

Në fjalën e tij, presidenti Thaçi ka thënë se ky Samit dërgon mesazh te të gjithë se rajoni ynë ka ndryshuar dhe se është shembull i zhvillimeve pozitive, duke përmendur organizimin e shumë takimeve rajonale në këta muajt e fundit.

“Të gjitha këto takime kanë bërë të qartë për të gjithë që sot, vendet e Ballkanit, komunikojnë, bisedojnë, dialogojnë, me njëra-tjetrën si mjet për të zgjedhur çështjet e hapura që kemi. Por edhe si mjet për të artikuluar qartë aspiratat tona për të ardhmen tonë”, ka theksuar ai.

Kreu i shtetit ka thënë se “Bërdo-Brione” ka shërbyer si një inkubator nga i cili kanë dalë shumë ide e nisma që pastaj kanë marrë forma të bashkëpunimit rajonal e më gjerë.

“Mbi të gjitha, këtu është konfirmuar nga të gjithë se aspiratë e jona e përbashkët është anëtarësimi i vendeve tona në Bashkimin Evropian. Ky anëtarësim do të thotë përcaktim për paqe të qëndrueshme, për stabilitet, për zhvillim, për prosperitet për të gjithë qytetarët tonë”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Sipas tij, të gjithë e kanë mirëpritur Strategjinë e Komisionit Evropian, e cila 15 vite pas Samitit të Selanikut, përsëri ri-konfirmon qartë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë derën e hapur për t’u anëtarësuar në BE.
“Samiti i Sofjes, i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ka karakter historik dhe është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë ne” ka theksuar ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se nga ky samit duhet të nxjerrim maksimumin e mundshëm, si në çështjet që ndërlidhen me përmirësimin e infrastrukturës, energjisë, ndërlidhshmërisë, digjitalizimit, bashkëpunimit të të rinjve, në arsim, etj.

“Mbi të gjitha, ne duhet t’ua bëjmë të qartë shteteve anëtare të BE-së se ne si shtete kandidate dhe aspirantë për anëtarësim në BE, jemi të gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar presidenti Thaçi, duke shtuar se tani duhet shfrytëzuar me kujdes dhe pa humbur kohë këtë momentum pozitiv të krijuar.

Sipas tij, nëse ne dhe BE vonohemi, atëherë të tjerë të cilët nuk kanë agjenda pozitive për rajonin, do të shtojnë ndikimin në rajonin tonë.

Presidenti Thaçi ka theksuar se në Kosovë jemi të përkushtuar që t’i kryejmë detyrat tona. “Më lejoni të theksoj se ndër sukseset e fundit tona ka qenë ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. E arritura kryesore e kësaj marrëveshjeje është se zgjidhjen e kemi gjetur Kosova dhe Mali i Zi në mes nesh, pa ndërmjetësim të ndonjë pale të tretë”, ka shtuar Presidenti.

Presidenti ka mirëpritur deklaratën e përbashkët që do të lëshohet nga ky samit, e që sipas tij, Deklarata përmbledh më së miri vendosmërinë dhe aspiratën tonë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka kërkuar nga…