Thaçi: Deputetët ta ratifikojnë demarkacionin

04 dhjetor 2017 | 10:43

Presidenti Hashim Thaçi thotë se e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për dërgimin e marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvend. Ndërsa lidhur me raportin e prezantuar nga komisioni i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, Presidenti thotë se nuk pati asnjë provë se kufiri është ndryshe nga ajo që vetë i pari i shtetit e kishte nënshkruar ne vitin 2015.

Sot komisioni për rishikimin e shënjimit të kufirit me Malin e Zi prezantoi të gjeturat e tij, ndërsa menjëherë pas kësaj, qeveria në krye me Ramush Haradinajn miratuan vendimin për dërgimin e marrëveshjes se Demarkacionit si dhe raportin e ri në Kuvend. Për këtë presidenti Thaci shprehet i kënaqur.

E mirëpres dhe përgëzoj Qeverinë e Republikës së Kosovës për vendimin e sotëm për ta proceduar për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

“Dua të besoj në vullnetin politik dhe shtetëror të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, por njëkohësisht ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që të jenë të bashkuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndër-shtetërore”, ka shkruar Presidenti Thaci në Facebook.

Ai thotë se ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi i jep fund izolimit të vendit, duke mundësuar heqjen e regjimit të vizave, por edhe e forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit.

“Me vendimin e sotëm të Qeverisë, merr fund saga e debateve shterpe akademike, e cila duke mos sjellë asnjë argument të ri, për tri vite me radhë ka prolonguar izolimin e qytetarëve të vendit, duke shkaktuar konfuzion dhe frikë se kinse Kosova rrezikon të humbet territor”, shkruan i pari i vendit.

Sipas Presdentit, tani është koha që Kuvendi i Republikës së Kosovës të marrë vendimin e vet meritor në interes të qytetarëve të vendit, të cilët janë duke pritur me vite të tëra heqjen e vizave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurorët në procesin gjyqësor të profilit të lartë të zhvatjes…