Thaçi: Krimet makabre në Kosovë i ka kryer sistematikisht shteti i Serbisë

01 korrik 2019 | 14:58

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën “Të gjithë së bashku me një zë”, e cila u organizua nga Bashkësia Islame e Kosovës në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Presidenti Thaçi ka thënë se jo vetëm të mbijetuarat e dhunës seksuale, por e gjithë shoqëria jonë ka pasur nevojë për një zë tonin të përbashkët, në përkrahje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. “Të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë nevojë për më shumë përkrahje institucionale dhe shoqërore. Kanë nevojë për përkrahje më të fuqishme dhe për më shumë mirëkuptim përbrenda familjes, komunitetit dhe shoqërisë sonë”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se fajësia e kësaj padrejtësie të rëndë, ende edhe pas 20 vjetësh, fatkeqësisht vazhdon të peshojë mbi vetë viktimat e dhunës seksuale.
“Shoqëria jonë duhet të ndërgjegjësohet dhe të bëjë më shumë për të mbijetuarat. Të gjithë së bashku duhet ta luftojmë stigmatizimin e viktimave të dhunës seksuale. Lufta për ne ka mbaruar në vitin 1999, por për të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk ka mbaruar asnjëherë. Për shkak të frikës nga stigmatizimi, i cili nuk do duhej të ishte prezentë në shoqërinë tonë, të mbijetuarat ende vazhdojnë të vuajnë në heshtje”, ka thënë Thaçi.

Më tej, ai ka thënë se si shumë krime të tjera, edhe dhunimet ishin mjet lufte për kriminelët serbë, për shtetin e Serbisë. “Ishin krime makabre për të na poshtëruar, për të na thyer dhe për të na shkatërruar nderin e dinjitetin. Me çdo kusht u munduan të na zhveshin prej çfarëdo vlere njerëzore, të na nëpërkëmbin, të na turpërojnë deri te përjashtimi dhe izolimi i njëri-tjetrit”, ka theksuar ai.

Presidenti i vendit ka thënë se përpos dhunës seksuale, shteti i Serbisë ka kryer edhe spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë, ka dëbuar rreth 1 milion qytetarë të Kosovës dhunshëm nga shtëpitë dhe pronat e tyre, ka kryer rreth 400 masakra anekënd Kosovës kundër civilëve vetëm pse ishin shqiptarë, ka vrarë rreth 1300 fëmijë vetëm pse ishin shqiptarë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se në bashkëpunim…