Thaçi merr përkrahjen e Londrës për perspektivën euroatlantike të Kosovës

06 dhjetor 2018 | 19:14

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka udhëtuar për një vizitë njëditore në Britaninë e Madhe.

Thaçi të enjten në Londër ka takuar Sir Alan Duncan, ministër për Evropë dhe Amerikë në qeverinë britanike.

Kreu i shtetit e ka njoftuar ministrin britanik për përpjekjet për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në reforma dhe është e interesuar që të vazhdojë me këta hapa edhe në të ardhmen”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Po punojmë edhe për një marrëveshje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare me Serbinë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, ministri Duncan ka thënë se Britania e Madhe mbështet perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe të rajonit.

“Mbështesim përpjekjet për të ndërtuar paqe e stabilitet të qëndrueshëm në tërë rajonin e Evropës Juglindore”, u shpreh ministri Duncan.

Presidenti Thaçi në takim me ministrin Duncan ka theksuar se Kosova dëshiron të bëhet kontribuuese në paqen në rajon dhe më gjerë, si dhe në shërbim të kësaj janë edhe përpjekjet për një marrëveshje me Serbinë, e cila do të sjellë njohjen reciproke dhe mbylljen e kapitullit të konfliktit.

Me ministrin Duncan, presidenti Thaçi ka folur edhe për angazhimet për të përmbyllur procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA)…