Thaçi: Muaji i Ramazanit është muaj i fisnikërimit njerëzor
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të premten kanë shtruar iftar për krerët dhe drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).
Thaçi ka thënë se muaji i Ramazanit është muaj sprove për besimtarët e devotshëm dhe agjërimi e rritë solidaritetin dhe kujdesin për njëri-tjetrin.
Ky është fjalimi i plotë i presidentit Thaçi në iftarin e shtruar sonte për krerët dhe drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës:
Duke shprehur kënaqësinë që jam në mesin tuaj, ju lutem më lejoni t’ju uroj agjërimin e ditës së sotme.
Muaji i Ramazanit për çdo vjet është muaj sprove për besimtarët e devotshëm, të cilët me vullnet heqin dorë nga uji dhe ushqimi, duke iu përkushtuar edhe më shumë besimit në Zot.
Përgjatë këtij muaji mbretëron paqja fizike dhe shpirtërore, rritet harmonia midis mendjes dhe zemrës.
Në këtë muaj mbretëron paqja mbi konfliktet.
E mira mbi të keqen.
Agjërimi është moment i rritjes së solidaritetit brenda familjes së besimtarëve.
Rritje e vëmendjes për njerëzit me gjendje jo të mirë materiale.
Kujtesë për solidarizim me të dobëtit.
Kështu, muaji i Ramazanit është muaj i fisnikërimit njerëzor, forcim i dashurisë dhe shpërfaqje e mëshirës.
Të nderuar pjesëmarrës të këtij iftari,
Është fat që jetojmë në një shoqëri me tolerancë të shquar fetare, kulturore dhe etnike.
Besimet fetare për ne janë pasuri.
Respektimi i traditave dhe riteve fetare të njëri–tjetrit e bënë më të pasur jetën tonë.
Një meritë të veçantë për këtë klimë pozitive keni ju të nderuar krerë dhe drejtues të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Kosova ka qenë dhe do të jetë vend i besimeve religjioze që përjashton frymën e çdo lloj ekstremizmi.
Të nderuar të pranishëm,
Jemi krenar për kultivimin e traditës së mirë fetare edhe në kushtet më të rënda të robërisë, edhe në sistemet ideologjike moniste.
Klerikët shqiptarë të besimit islam në çdo kohë kanë qenë nga ana e popullit.
Nga ana e idealeve dhe synimeve për liri dhe pavarësi.
Prandaj sonte, ju uroj këtë iftar të shijshëm me besimin që ditët e mbetura të Ramazanit t’i kaloni këndshëm në mesin e familjeve tuaja dhe të miqve tuaj.