Thaçi në Bruksel: Do të kërkoj edhe njëherë që BE-ja të plotësojë zotimin për liberalizimin e vizave

16 shkurt 2020 | 21:27

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë duke marrë pjesë në një takim joformal në Bruksel me udhëheqjen e re të Bashkimit Evropian.

Këtë e ka bërë të ditur presidenti i vendit Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në “Facebook”.

“Bashkë me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, sapo kemi filluar një takim joformal me udhëheqësit e ri të Bashkimit Evropian. Në këtë takim do të diskutohet për mundësinë e përshpejtimit të zgjerimin e BE-së, përmes anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka thënë se në këtë takim do të kërkojë edhe njëherë që BE-ja të plotësojë zotimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Pjesë e këtij takimi janë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Kroacisë Andreja Plenkoviq, vendi i të cilit kryeson Presidencën evropiane, kryetarja e KE-së Ursula Von der leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Para takimit, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka deklaruar se darka joformale me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të jetë një mundësi për të ri-konfirmuar perspektivën evropiane të këtyre vendeve.

Takimi është thirrur në kuadër të përgatitjeve për samitin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor më 6 maj në Zagreb.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prioritet i qeverisë Kurti është padia e Kosovës ndaj Serbisë…