Thaçi: Për mua Bibël dhe Kuran është deklarata e pavarësisë

12 shkurt 2018 | 17:34

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur poshtë çdo mundësi të ndarjes së Kosovës apo të shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit me presidenti slloven, Thaçi ka thënë se debatet që janë iniciuar për këtë çështje janë vetëm spekulime.

“Kosova ka integritetin e vet territorial të paprekshëm, është i unik, i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht. Janë shqetësuese debatet në këtë prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë për gjëra të kota dhe të tejkaluara. Këto deklarata për mua janë të vdekura. Ka pasur më herët ide për ndarje, ka pasur ide edhe për shkëmbime territoresh”, ka thënë Thaçi.

Ai ka deklaruar se respektimi i integritetit territorial të Kosovës është krucial për të ardhmen e Kosovës, duke shtuar se për të Bibël dhe Kuran është deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Unë gjithmonë kam qenë i qartë: respektimi i integritetit territorial është krucial për të ardhmen e Kosovës. Idetë e tilla nuk i sjellin të mira as vendit dhe as paqes në rajon. Idetë e tilla nuk janë të institucioneve të Kosovës. Por, dua të them gjithashtu se edhe lakimi i emrit tim në këtë problematik nuk është i rastësishëm. I kuptoj edhe sponzorizuesit e kësaj ideje, por përgjigjja ime është shumë e qartë: Bibël dhe Kuran për mua është Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, dhe jo spekulimet, dy javë më herët te Sputnikut, pastaj të transmetuar apo të përkthyera gabimisht në mediume të caktuara”, është shprehur Thaçi.

Ai i ka ftuar deputetët e Kosovës që të miratojnë demarkacionin me Malin e Zi.

“Edhe ratifikimi i demarkacionit në Kosovës do të ishte një mesazh i shkëlqyeshëm edhe për popullin e Kosovës dhe për paqen në Ballkan. Por, në të njëjtën kohë do të ishte një argument i fuqishëm për partnerët tanë strategjikë, për presidentin Pahor dhe Slloveninë, dhe gjithë mbështetësitë tjerë në familjen evropiane. Punët tona nuk na i kryen askush. Për të votua në Kuvend nuk vjen asnjëri vend i BE-së. Duhet të votojmë ne që të ndodhë liberalizimi i vizave. Prandaj, duhet të mendojmë dhe punojmë seriozisht në prodhimin e argumenteve pozitive”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se arritja e një marrëveshje historike me Serbinë në dialogun për normalizim të marrëdhënieve do të ishte një argument i fuqishëm, i cili do t’i bindë për njohje edhe pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës,…