Thaçi: Respektoj vendimin e Haradinajt, luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush

19 korrik 17:50

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se e respekton këtë vendim të Haradinajt, dhe sipas tij, askush nuk mund ta cenojë luftën e UÇK-së.

Thaçi ka bërë me dije se do të veprojë bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediet tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij dhe si president i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka…