Thaçi: Shfrytëzimi i Kosovës si rrugë për trafikantët parandalohet me bashkëpunim rajonal dhe evropian

19 tetor 2020 | 11:19

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën e organizuar për Ditën e BE-së kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, raporton “Epoka e re”.

Thaçi ka thënë se Dita e BE-së kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore është ngjarje e rëndësishme në Kosovë dhe më gjerë.

“Në këtë ditë vlerësojmë të arriturat, por edhe sfidat që mbesin në këtë fenomen të dhimbshëm për tërë botën. Kosova është vend i origjinës, por edhe i transitit të qenieve njerëzore që trafikohen”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se Kosova si shtet i ri ka arritur të krijojë infrastrukturë ligjore që ndihmon në luftimin e trafikimit dhe në rehabilitimin e viktimave.

“Duhet të punojmë çdo ditë për të siguruar mirëqenie për qytetarët tanë, në mënyrë që të mos ketë hapësirë dhe mundësi për zhvillimin e kësaj dukurie negative dhe shumë të rrezikshme për shoqërinë tonë, si dhe duhet të bashkëpunojmë me të gjithë fqinjët dhe me vetë BE-në që të parandalojmë shfrytëzimin e Kosovës si rrugë për trafikantët”, shtoi presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se Kosova i është mirënjohëse Bashkimit Evropian për mbështetjen e ofruar ndaj institucioneve të Kosovës, në parandalimin dhe luftimin e trafikimit.

“Ky bashkëpunim është thelbësor, pasi trafikimin mund ta luftojmë vetëm së bashku. Kosova ka kërkuar afrim me organizatat ndërkombëtare, që ta japë kontributin e vet në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka theksuar se duhet të mbesim të përkushtuar që qytetarët tanë të jenë të mbrojtur me infrastrukturë ligjore dhe me të gjithë mekanizmat e duhur shtetëror, si dhe të kontribuojmë që të parandalohet kjo dukuri në nivel të Evropës.

Ai i ka ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse, që në përputhje me obligimet kushtetuese dhe ligjore të jenë në krye të detyrës dhe pa asnjë kompromis ta luftojnë çdo dukuri negative në shoqërinë tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dielën u luajtën dy ndeshjet e fundit të xhiros…