Thaçi: ‘Trepça’ është resurs i panegociueshëm

05 shkurt 2019 | 18:02

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC, ku para një audience të specialistëve të rajonit ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe në Kosovë, paqe dhe stabilitet në rajon dhe do të ketë rol transformues në shoqërinë tonë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se nuk do të jetë proces i lehtë arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij është e vetmja rrugë përpara për të evituar kthimin prapa në tensione dhe konflikte.

Në këtë bashkëbisedim, presidenti Thaçi ka pranuar pyetje edhe nga audienca.

James Pardew, diplomat amerikan dhe një nga përfaqësuesit e ShBA-së për Kosovën në vitet 1999-2001, pyeti për çështjen e korrigjimit të kufirit.

Në përgjigjen e tij, presidenti Thaçi u shpreh se një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë sigurisht do të jetë edhe përcaktimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë. “Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme”, u shpreh ai. “Por, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, ‘Trepça’, këto janë resurse të panegociueshme”, ka pohuar presidenti Thaçi.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka…