Tre persona të prekur me virusin e Nilit, një i vdekur

15 gusht 2018 | 08:37

Të martën është identifikuar rasti i tretë me virusin e Nilit në Kosovë, ndërkaq ditë më parë, një person ka ndërruar jetë në Kosovë, si pasojë e këtij virusi.

Zyrtarë shëndetësorë thonë se edhe një tjetër person është trajtuar në Klinikën Infektive me virusin Nil, por që i njëjti pas trajtimit është lëshuar në shtëpi.

Lajmin për prezencën e këtij virusi e ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, duke shtuar se deri më tash tre pacientë janë diagnostikuar me këtë virus, derisa një ka përfunduar me fatalitet.

“Në laboratorët e Institutit Kombëtar sot është detektuar edhe një rast me praninë e virusit të Nilit, i cili është i shtrirë në Klinikën Infektive, dhe i cili është në fakt rasti i tretë i diagnostikuar në Institutit Kombëtar, saktësisht në laboratorët e mikrobiologjisë, dhe i cili rast praktikisht ka filluar gjatë javës së kaluar, e që ka pasur shenja klinike, ku ditën e martë edhe ka rezultuar me diagnozë të virusit të Nilit”.

“Edhe rasti tjetër që ka përfunduar me fatalitet nga virusi i Nilit, ndonëse është shtrirë në Klinikën Infektive me sëmundje kronike, i njëjti pas analizave laboratorike ka rezultuar i preku me virusin e Nilit”, ka thënë Ramadani.

Infeksioni i virusit të Nilit te njerëzit, kryesisht është rezultat i kafshimit nga mushkonjat e infektuara.

Shtatëmbëdhjetë të vdekur si pasojë e virusit të Nilit është bilanci i një jave në vendet e Evropës. Kështu bën të ditur Qendra Evropiane për Mbrojtje dhe Kontroll nga Epidemitë. Sipas të dhënave të këtij institucioni, në Serbi janë nëntë të vdekur, tre në Greqi, një në Itali, një në Rumani dhe një në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka treguar se Kuvendi…