Tre të vrarë nga të shtënat në një tramvaj në Holandë

18 mars 2019 | 16:32

Tre njerëz janë vrarë nga të shtënat në një tramvaj në qytetin Utreht të Holandës, kanë bërë me dije autoritetet.

Nëntë vetë të tjerë janë plagosën në incidentin që, sipas policisë, mund të jetë sulm terrorist.

Policia ka thënë se është në kërkim të një 37-vjeçari turk, i identifikuar si Gokmen Tanis, dhe i ka paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë larg tij.

Shkollat në Utreht janë mbyllur, derisa policia anti-terrorizëm është duke punuar në gjetjen e sulmuesit të dyshuar.

“Nuk mund ta përjashtojmë motivin terrorist”, ka thënë koordinatori për anti-terrorizëm i Holandës, Pieter-Jaap Aalbersberg.

“Shumëçka është e paqartë tash për tash dhe autoritetet lokale po punojnë për të mbledhur faktet”, ka thënë ai.

Aalbersberg ka bërë me dije se niveli i kërcënimit të terrorizmit në Utreht është rritur në shkallën më të lartë për 18 orët e ardhshme.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, e ka anuluar një takim me koalicionin e tij qeveritar, pasi është njoftuar për situatën.

Shërbimet e sigurimit raportohet se i kanë kërkuar Qendrës Mjekësore Universitare të Utrehtit të hapin një repart të veçantë për të ndihmuar në kujdesin për të plagosurit.

Autoriteti i transportit të Utrehtit ka theksuar se disa shërbime të tramvajit po vazhdojnë në qytet, ndonëse i ka paralajmëruar udhëtarët që “t’i kenë parasysh vonesat”. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prag të 21 marsit, Ditës Botërore të personave me…